Del Piero: Modric e meritoi çmimin e më të mirit, Ronaldo do ta ketë të vështirë në Itali
Ish-legjenda e Juventusit, Alessando Del Piero është shprehur se Cristiano Ronaldo do ta ketë të vështirë për të shënuar në Seri A, për shkak se hapësirat në këtë kampionat janë të pakta. Ish-sulmuesi i bardhezinjve duke folur në studion e “Sky Sport Italia”, ka deklaruar se vlerësimi nga UEFA për Modric ishte i merituar.
“Diçka shkoi keq dhe ka krijuar këtë polemikë. Nëse Cristiano do të kishte thënë herët se nuk mund të shkonte për arsye personale në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, asgjë nuk do të kishte ndodhur.
Personalisht mendoj se Modric e ka merituar çmimin e më të mirit. Ai ka fituar në Madrid dhe shkëlqeu me Kroacinë në Botërorin e Rusisë. Ka bëri diçka të jashtëzakonshme. Zakonisht, ai që e fiton këtë çmim, në fund të vitit bën të vetin edhe “Topin e Artë”.
Ronaldo ende pa gol? Në Itali ne mbrojmë në mënyrë unike, duke kërkuar për superioritetin numerik. Cristiano ka ende për të mësuar, për t’iu përshtatur ligës sonë, por në Europë do të jetë ndryshe, do të ketë më shumë hapësira.
Te Real Madridi ka shënuar pa fund gola, ndaj i ka mundësitë ta bëjë këtë edhe me Juventusin, vetëm t’i japim kohë. Bardhezinjtë nuk kanë pse të shqetësohen, pasi ndeshjet fitohen edhe pa golat e Ronaldos dhe Dybala”, deklaroi Del Piero.
KOHA JONË SONDAZH

