Demi: Humbja 5-0 me Luftëtarin është situata më e turpshme
Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi në një intervistë të dhënë se fundmi ka folur për humbjen e turpshme 5-0 ndaj Luftëtarit. Numri 1 i të kuqve duke folur për “Top Channel” e pranon se ka frikë se e njëjta situatë mund të përsëritet sërish gjatë sezonit.
“Në këto vitet e mia kjo është situata më e turpshme për Partizanin dhe më e vështirë. Megjithatë mendojmë sikur tani jemi futur në shina për të rikuperuar kohën e humbur. Ndeshja e Gjirokastrës është maskaradë, edhe sot kur e kujtoj nuk di çfarë të them. Nuk mund të them nëse ka patur poshtërsi apo jo, se pa fakte nuk mund të flas. Për zërat që kam dëgjuar në ka vërtetësira, sot jemi në një kohë ku kontrollohet e verifikohet gjithçka. Domethënë atë ditë ishte një skuadër pa karakter, sot kur e kujtoj më vjen turp”, tha Demi
Më tej ai theksoi se ekipi i Partizanit po pret ende nga FSHF titullin kampion që iu hoq Skënderbeut, por bën të qartë se nuk ka asnjë ambicie për të kandiduar, apo nuk mbështet ndonjë kandidat të veçantë në luftën për president të FSHF-së
“Titulli nuk mund të rrijë në sirtarin e federatës. Duhet ta marrë vendi pasardhës. Aq më tepër që ne u përfaqësuam nga UEFA jo nga federata në Champions League.
Presidenti? Ne si Partizan nuk kemi asnjë kandidaturë. Por do të shohim cilët do të jenë kandidatët dhe unë e kam thënë edhe herë të tjera, do të shoh dhe do të votoj për platformën më të mirë për futbollin shqiptar kushdo që të jetë, ky president që është apo ndonjë kandidat tjetër.
Më kanë thënë edhe më parë disa miq të mi që të kandidoja për president, dikur s’kisha lidhje me futbollin fare. Por nuk mund të kandidoj edhe pse kam shumë dëshirë të bëj gjëra të mira për vendin tim. Tani kam edhe konflikt interesi, pastaj edhe presidenti aktual është shumë i fortë vështirë të mundet”, tha numri një i të kuqve.
KOHA JONË SONDAZH

