Duka apo Fino? 5 pikat e forta të dy kandidatëve për kreun e ri të FSHF

Asambleja Zgjedhore e FSHF-së do të zgjedhë nesër se cili do të drejtojë institucionin qeverisës të futbollit shqiptar për 4 vitet e ardhshme. Armand Duka, kërkon një mandat të pestë, ndërsa rivali kryesor Bashkim Fino, që vjen nga politika, premton ndryshimin pas akuzave të forta ndaj drejtimit aktual. Në garë është edhe Shpëtim Hala, ish-gjyqtar, edhe pse me një kandidaturë që nuk ka patur një ekspozim të madh në media. Por cilat janë platformat e dy kandidatëve kryesorë? 5 pikat kryesore të tyre mund t’i zbuloni si më poshtë.

Platforma e Armand Dukës

Masivizimi i futbollit: “Masivizimi i futbollit, fëmijët, të rinjtë, femrat, rezultatet e skuadrës Kombëtare me objektivin madhor për kualifikimin në EURO 2020 dhe Kupën e Botës 2022, arritjet e klubeve në arenën ndërkombëtare, politikat e futbollit dhe e ardhmja e garantuar më japin besim se sërish do vendosim për një futboll shqiptar gjithnjë e më të mirë”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Projektet të infrastrukturë: “Ne kemi menduar që për katër vitet e ardhshme të bëjmë investime duke pasur bashkëpunim me qeverinë, pushtetin lokal dhe investitorë të tjerë. Kemi menduar të rikonstruktojmë dy stadiume të tjerë, jo të ndërtojmë 5 stadiume të rinj. Mendojmë të pajisim stadiumet e Superligës me ndriçim artificial. Ndërtim të 70 mini-fushave të futbollit, ku mund të luajnë fëmijët. Kemi menduar ndërtim të ambienteve sportive për kategoritë e tjera, si për shembull për të verbërit”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Edukim dhe liçensim: “Më përpara nuk dihej se ku bëhej shkolla për t’u bërë trajner, ndërsa ne arritëm deri në nivelin B të trajnimit, që është licenca maksimale në këtë drejtim. Për të gjitha këto kemi bërë maksimumin dhe kemi arritur diçka, megjithëse sigurisht kërkohet më shumë. Gjithashtu do të stimulojmë talentet e reja të futbollit, duke financuar ushtrimin e futbollit edhe për lojtarët e rinj që nuk kanë mundësinë ekonomike të vazhdojnë ëndrrën e tyre”.

Kombëtarja, kualifikimi në “Euro 2020”: Pas kualifikimit për në “Euro 2016” Duka e ka shprehur hapur se synimi i tij është që kombëtarja të kualifikohet sërish për në fazën finale të Europianit.

Klubet, mbështetje financiare dhe forcimi i garës: “Çdo ekip në Shqipëri ka marrë atë që meriton pavarësisht gabimeve që mund të jenë bërë në ndeshje të veçanta. Ajo që e dëmtojnë Kategorinë Superiore janë vetë aktorët. Kjo është një lojë e gabimeve, por e rëndësishme është që ta marri ai ekip që e meriton. E vetmja gjë që mungon është një sponsor për emrin dhe kjo vjen për shkak të shifrave të ulëta të ardhura nga sponsorë të ndryshëm”.

Platforma e Bashkim Finos

Transparenca totale e fondeve: “Transparencë maksimale për të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e FSHF. Shpërndarja e fondeve do të përmbysë menjëherë raportin e turpshëm ku presidenti dhe administrata e FSHF-së marrin për shpenzimet e tyre të luksit shumicën dërrmuese të fondeve dhe klubet lihen në mjerim ekonomik”.

Trefishim i të ardhurave për çdo klub: “Nëse klubet më votëbesojnë, do të ketë auditim të plotë, do të ketë fonde trefishin më shumë. Sot është luks i paparë për administratën e tij, sidomos ekipe të Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Nga këto të ardhura do të ketë tre herë më shumë para për klubet”.

Fushë stërvitore në çdo bashki, 5 stadiume: “Nëse marr votëbesimin, në 8 vjet do të bëj 5 stadiume të standardit të ‘Elbasan Arenas’, sigurisht në bashkëpunim me qeveritë e vendit”.

Kufizimi i mandatit të presidentit: “Në qoftë se unë do të mandatohem, nëse platforma ime do të fitojë, të jeni të bindur që puna ime si avokat i futbollit të nesërmen e 8 shkurtit do të jetë me kohë të plotë 24 orë vetëm për futbollin shqiptar dhe për asnjë detyrim tjetër politik. Këtu nuk ka të bëjë frika nëse lë apo marr një mandat, unë jam në respekt të ligjit, të cilin nuk e kam shkelur”.

Besueshmëri e garës, rritja e numrit të tifozëve: “Nuk do ketë asnjë ekip të privilegjuar në presidencën time. Futbolli shqiptar ka nevojë për një ndryshim. Nevojitet ndryshim drastik në mënyrën e drejtimit menaxherial të FSHF. Ka ardhur koha për një ndryshim për të rikthyer besimin tek kampionati shqiptar. Njerëzit e cilësojnë futbollin tonë si të paracaktuar”.

Rendi i ditës në Asamble

  1. Përshëndetja e presidenti
  2. Verifikimi i përbërjes së mbledhjes
  3. Zgjedhja e anëtarëve të Komisionit të Verifikimit të numërimit të votave
  4. Emërimi i delegatëve për të verifikuar procesverbalin e asamblesë
  5. Aprovimi i procesverbalit të Asamblesë së Përgjithshme
  6. Raporti i presidentit mbi aktivitetin e Komitetit Ekzekutiv
  7. Aprovimi i pasqyrës së llogarive për periudhën 1 janar-31 dhjetor 2017
  8. Pranimi i raportit të auditorit të pavarur “Deloitte Albania”
  9. Propozimi për shoqërinë audituese për vitin financiar 2018
  10. Aprovimi i buxhetit për vitin financiar 2018
  11. Raporti mbi Ligën Profesioniste të Futbollit
  12. Zgjedhjet për presidentin e FSHF-së
  13. Zgjedhja e nëntë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?