Duka: Humbja me Skocinë jo tragjedi, nuk është faji i Panuccit
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, vazhdon të këmbëngulë se nuk duhet sulmuar kaq shumë trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci. I ftuar në Supersport, ai ka vazhduar të insistojë se ka filluar një sulm i qëllimshëm kundër trajnerit, por pa dhënë shpjegime se nga vinin këto sulme.
“Nuk mendoj se ka një situatë. Do të donim shumë ta fitonim, edhe ai që është përgjegjës kryesor, ky është futbolli, këtë kam thënë edhe unë. Kemi humbur një ndeshje, nuk mund ta trajtojmë si tragjedi. Nuk është për të etiketuar një njeri, është lojë kolektive, e marrim suksesin e mossuksesin të gjithë, të gjithë kanë peshën e vet specifike. Nuk jam i kënaqur, por nuk mund ta dramatizoj, ndoshta është presion shumë i madh psikologjik mbi ekipin, shumë mirë është se vetë na kanë çuar në Europian e ne e kërkojmë përsëri.
Këto nuk janë shifrat e Panuccit, janë shifrat e kombëtares shqiptare dhe nuk më kënaqin fare. Por jo vetëm këto, në gjithë historinë nuk më kënaq asnjë humbje, kërkoj gjithmonë edhe në miqësore. Por kur shoh me kë kemi humbur, më zbut pak dhimbjen, edhe kur shoh fitore në ndeshje zyrtare.
Kemi humbur kundër një ekipi që ka në përbërjen e tij futbollistë të Premier League. Italia dhe Shqipëria nuk janë paralelizmi i duhur. Nuk thashë që Panucci është i pagabueshëm, që ai dhe çdo futbollist aty nuk ka ndonjë gjë për të korrigjuar. Por e kam thënë se opinioni merr për bazë edhe këto që thuhen në media. Ato më duken të orkestruara pasi filloi shigjetimi ndaj Panuccit”, tha Duka
KOHA JONË SONDAZH

