Dy yjet e Anglisë tërhiqen në mënyrë të papritur nga kombëtarja
Jamie Vardy ka vendosur që të mos luajë më për Anglinë, , pasi kërkon të kalojë më shumë kohë me familjen e tij. Lajmin e ka bërë të ditur sot vetë futbollisti, i cili tha se tashmë kërkon të kalojë më shumë kohë me familjen dhe ka njoftuar trajnerin Southgate për vendimin e tij.
Vardy shpërtheu shumë vonë si sulmues dhe iu bashkua përfaqësueses angleze vetëm në vitin 2015, ndërsa që prej asaj kohe ka luajtur 26 takime dhe ka shënuar 7 gola. Në kampionatin botëror “Rusi 2018”, Vardy ishte prezent, por në shumicën e rasteve u nis nga stoli, pasi kishte përpara një dyshe sulmuese si Raheem Sterling dhe Harry Kane.
Në të njëjtën ditë me Vardy-n, vendosi t’i japë lamtumirën përfaqësueses së “Tre luanëve” edhe mbrojtësi i Chelseat, Gary Cahill, i cili në moshën 32-vjeçare, tha se e shikonte si momentin ideal për t’u larguar nga Anglia.
“Kam luajtur mbi 60 takime me skuadrën përfaqësuese dhe disa herë kam mbajtur edhe shiritin e kapitenit, gjë që më ka mbushur me krenari. Tani mendoj se është koha për të bërë një hap pas dhe vendimin tim ia kam komunikuar edhe trajnerit Southgate”, deklaroi Cahill.

KOHA JONË SONDAZH

