E katërta e Superiores, pritshmëri dhe pikëpyetje
Kategoria Superiore do të rikthehet këtë fundjavë me javën e katërt të saj, ndërsa pas 270 minutash të luajtura, padyshim që pikëpyetjet për disa skuadra janë të shumta, ashtu sikundër edhe dëshira për konfirmim në pjesën e sipërme të tabelës. Dhe natyrisht që sytë janë drejtuar në Vlorë, ku të hënën do të luhet kryendeshja Flamurtari-Skënderbeu. Kampionët udhëtojnë në fushën e skuadrës së ndërtuar pikërisht për shkurorëzimin e korçarëve, teksa në stolin kuqezi është ulur arkitekti i titullit të fundit bardhekuq, Ilir Daja. Natyrisht, që në letër është e vështirë të përcaktosh fituesin, ndonëse Skënderbeu vjen si fitues në fuqi. Gjithsesi, lajmi më i rëndësishëm nga Vlora ka të bëjë me terrenin. Fusha në stadiumin “Flamurtari” paraqitet në gjendje optimale dhe kjo i gëzon padyshimtë dyja skuadrat, që do të luajnë të hënën në orën 19:45.
Nga kreu i tabelës, në fundin e saj. Tirana pret Luftëtarin të dielën në “Selman Stërmasi”, ndërsa bardheblutë janë ende në kërkim të fitores së parë në këtë kampionat. Kriza në gjirin bardheblu ka qenë e prekshme, me Ze Marian që ka preferuar të ardhurit duke ulur në stol disa prej ‘senatorëve’, çka ka sjellë pakënaqësi, ndërsa presidenti Halili ka bërë edhe sforcon e fundit financiare, duke sjellë Namdo Oduamadin, sulmuesin që besohet se do të mbushë boshllëkun në sulm, bosh-llëk aq shumë të debatuar nga trajneri brazilian. Nga ana tjetër, Luftëtari i sllovenit Kostiç, një Luftëtar që nuk ka marrë ende asnjë pikë dhe që është larg ekipit spektakolar që kemi shijuar në dy edicionet e fundit.
Në Laç krubinasit presin Partizanin, dy skuadra në ndjekje të kreut. Laçianët janë gati për të luftuar për titullin, referuar deklaratës së presidentit Laska, ndërsa të kuqtë ende nuk janë një ekip për titull, sikundër ka përsëritur shpesh trajneri Gega, por gjithsesi të dyja skuadrat janë aty, të gatshme për të përfituar nga sfida e Vlorës.
Teuta e Bledi Shkëmbit është ekipi që ka argëtuar më shumë në këtë start sezoni. Bregdetarët kanë shënuar një gol të vetëm, por janë gjithnjë prezentë te zona kundërshtare. Ndaj Kukësi është i paralajmëruar, ndonëse fitorja me Tiranën ka kthyer qetësinë te nënkampionët. Gjithsesi, Cungu ka jo pak dhimbje koke për këtë 90-minutësh, pasi nuk do të ketë në dispozicion Rexhinaldon, që u dëmtua në grumbullim me përfaqësuesen e Mozambikut. Në fund është Kamza-Kastrioti. Të dyja skuadrat kanë nga 3 pikë të arkëtuara në javën e parë, më pas nga dy humbje, që te Kamza sollën shkarkimin e Bledar Devollit dhe emërimin e Klodian Duros, i cili do të debutojë kundër Elvis Plorit në këtë edicion. Si Kamza, ashtu edhe Kastrioti duan pikë në këtë përballje, ndërsa Duro ëndërron startin perfekt.
Java e 4-ët
Të shtunën
Kamza – Kastrioti 15:45
Teuta – Kukësi 18:45
Të dielën
Laçi – Partizani 15:45
Tirana – Luftëtari 18:45
Të hënën
Flamurtari-Skënderbeu 19:45
Renditja
Skuadra N P
Skënderbeu 3 7
Flamurtari 3 7
Partizani 3 6
Laçi 3 5
Teuta 3 5
Kukësi 3 4
Kamza 3 3
Kastrioti 3 3
Tirana 3 1
Luftëtari 3 0
/Shqiptarja.com/
KOHA JONË SONDAZH

