Edgar Çani tek Leeds United për 550 mijë euro, pritet zyrtarizimi
Pas Ermir Lenjanit, Herilond Shalës, e Bekim Balajt, një tjetër futbollist i kombëtares sonë, është shumë pranë zyrtarizimit me një klub të madh, në merkaton e dimrit. Edgar Çani nuk është grumbulluar nga Katania në ndeshjen e fundit dhe po përgatitet t’i japë lamtumirë skuadrës së Seria B. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, 25 vjeç, autor i tre golave në pjesën e parë të këtij sezoni me ekipin e Seria B, është shumë pranë zyrtarizimit si lojtari i Leeds United në Premier-ship. Sipas ekspertit të merkatos italiane Alfredo Pedullà, djaloshi shqiptar pritet nga momenti në moment të firmosë me klubin e njohur anglez. Ish-presidenti i Kaljarit, Massimo Cellino, i cili prej një viti drejton Leeds ka biseduar me drejtuesit e Katanias për të ardhmen e sulmuesit kuqezi. Ai i ka afruar fillimisht Katanias 450 mijë euro për kartonin e Edgar Çanit, por kjo ofertë është refuzuar, pasi klubi i Seria B kërkonte 700 mijë euro. Sakaq, marrëveshja, siç pritej është arritur për 550 mijë euro, plus edhe bonueset që do të vendosen nga shoqëria që drejtohet aktualisht nga Pulvirenti.

