Egnatia merr fitoren e parë në Superiore, i falet dopietës së Pedro Agustos (VIDEO)
Egnatia ka arritur të marrë3 pikët e para në Abissnet Superiore. Rrogozhinasit i falen brazilianit Pedro Augusto, që shënon dopietë ndaj Kastriotit duke marrë një fitore 2-1, në një ndeshje që dhuroi shumë emocione.
Vendasit kaluan të parët në avantazh, me anë të Pedro Augustos, që ekzekutoi saktë një penallti të fituar nga Çyrbja në minutën e 25-të, ndërsa në fillim të pjesës së dytë, ishin në avantazh numerik, pasi Kodra u ndëshkua me karton të kuq dhe la krutanët me një lojtar më pak.
Megjithatë një gafë e portierit Bruno Puja, bëri që Ajazi të rikthejë baraspeshën dhe në momentin më të mirë të rrogozhinasve, u ndëshkua me karton të kuq edhe Bruno Telushi, duke barazuar forcat në fushën e lojës.
Kur dukej se gjithçka po shkonte drejt një tjetër barazimi 1-1, ishte sërish sulmuesi Pedro Augusto që përfitoi nga një rrëmujë në zonë dhe dërgoi topin për herë të dytë në rrjetën e krutanëve.