Emocione të mëdha në Europa League, Berisha dhe Strakosha kërkojnë përmbysjen
Sonte në mbrëmje do të luhen ndeshjet e kthimit të fazës së 1/16 të finaleve të Europa League. Vëmendja më e madhe do të jetë te Napoli. Skuadra e drejtuar nga Mauricio Sarri do të luajë në Gjermani ndaj Lajpcigut ku do të duhet të bëjë mrekullinë për t’u kualifikuar duke qenë se në fushën e tij është mundur me rezultatin 3-1.
Lacio do të presë në Romë skuadrën e Steauas së Bukureshtit ndaj së cilës humbi përpara një jave me rezultatin 1-0. Skuadrës së Inzagit do t’i duhet një fitore me mbi 2 gola për të kaluar në 1/8 e finaleve. Arsenali, Milani dhe Atletiko Madrid janë skuadrat që janë me një këmbë në raundin tjetër të Europa league pasi i kanë fituar bindshëm ndeshjet e tyre të para.
Një sfidë interesante e këtij raundi të Europa League është edhe ajo mes Vijarrealit dhe Lionit që do të luhet në El Madrigal, me skuadrën franceze që vjen me avantazhin 3-1 te sfidës së parë. Në Bergamo, Atalanta do të presë Borussia Dortmund ndaj së cilës humbi sfidën e parë 3-2. Skuadra italiane duhet të fitojë të paktën 1-0 për të kaluar në raundin tjetër.

KOHA JONË SONDAZH

