“Ferrari” kërcënon: Mund të largohemi nga ‘Formula 1’
Në një intervistë ekskluzive për britaniken “The Independent”, Bernie Ecclestone është shprehur se rregullat e reja mbi motorët, që pritet të përfshihen në Formulën 1 duke nisur nga viti 2021, mund ta shtyjnë Ferrarin të dalë realisht jashtë sportit më të ndjekur të automobilizmit.
Ferrari është i vetmi ekip që rezulton të jetë në Formulën 1, që kur ky kampionat është krijuar në vitin 1950, ndërkohë që 15 titujt kampionë për pilotë të siguruar prej saj e bëjnë atë skuderinë më të suksesshme të këtij sporti.
Ecclestone paralajmëron se kjo mund të çojë në tërheqjen e Ferrarit nga Formula 1.
“Nëse ata nuk munden të fitojnë, ata do të nxisin rishikimin e rregullores”, thotë ish-bosi i Formulës 1. “Por nëse këto rregulla do të sjellin atë që Ferrari mund ta mendojë si pamundësi për të fituar apo shpenzime të tepërta, atëherë ata mund të largohen”.
Paralajmërimi i tij vjen pas komenteve të bëra nga kreu i Ferrarit, Sergio Marchionne, i cili të enjten tha se Ferrari dhe pronarët e rinj amerikanë të F1-shit, “Liberty Media”, “duket se janë në përplasje mbi termat e zhvillimimit strategjik” të këtij sporti.
Ai shtoi se F1 “ka qenë pjesë e ADN-së sonë që kur ne jemi lindur, por nëse ne i ndryshojmë rregullat deri në atë pikë ku ato bëhen të panjohura për ne, atëherë ne mund të mos jemi më pjesë”.
Ferrari ka kërcënuar shpeshherë për të dalë nga F1, kur kontrata e tyre ishte në prag të skadimit dhe pritej rinovimi, por gjithsesi u nënshkrua pasi Ecclestone rriti vlerën e përfitimeve nga garat. Ferrari merr rreth 160 milionë paund në vit, ndërsa gjysma e kësaj shume është e garantuar ende pa u zhvilluar asnjë garë e kampionatit. Edhe pse përfundoi sërish pas Mercedesit këtë vit, përfitimet e Ferrarit tejkaluan ato të skuderisë gjermane, që ishin në kuotën e 42,8 milionë paundëve.
Megjithatë, “Liberty” i ka kthyer shpinën kësaj strategjie që kur bleu Formulën 1 në janar dhe zëvendësoi Ecclestonin në karrigen më të lartë të drejtuesit me shefin ekzekutiv amerikan Chase Carey. Ky i fundit, nga sa është bërë e ditur, do t’u njoftojë ekipeve ditën e martë se “Liberty” planifikon të prezantojë një tavan buxhetor dhe një balancim të përfitimeve nga garat, në nivelin e asaj që jepet në këtë sport. Kjo gjë do të bllokonte bonusin që aktualisht merr Ferrari.
KOHA JONË SONDAZH

