FSHF shkarkon trajnerët e moshave, ja emrat që i zëvendësojnë
Federata Shqiptare e Futbollit ka shkarkuar disa nga trajnerët e moshave, teksa i vetmi që ka shpëtuar ka qenë Alban Bushi i Shpresave.
Erjon Bogdani nuk do të jetë më trajner i Kombëtares U-19, vendin e tij e ka zënë, ish-mbrojtësi Nevil Dede. Ndryshime edhe në Kombëtaren U-17, teksa pas largimit të Mustedanagiç, i cili do të mbajë postin e drejtorit të ekipeve kombëtare, vendin e tij e ka zënë shkodrani Elvis Beqiri.
Nuk mund të shpëtonte nga ky ristrukturim as trajneri i Kombëtares U-15 Eqerem Memushi. Vlonjati është shkarkuar, pozicionin e tij e ka marrë Armand Damo. Të gjithë trajnerët e rinj pritet të prezantohen ditën e nesërme.
“Federata Shqiptare Futbollit ju fton nesër, e martë, ora 11:00, në një konferencë për shtyp ku do të prezantohen trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave. Konferenca do të mbahet pranë zyrave të FSHF”, shkruhet në njoftimin e FSHF-së.
KOHA JONË SONDAZH

