Gega: Duam fitoren ndaj Teutës, Partizani ka lojtarë edhe për kombëtaren

Skënder Gega ka dalë në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes së radhës në kampionat. Java e shtatë e Superiores i vendos të kuqtë përballë Teutës, në “Selman Stermasi”, të mërkurën, ora 16:45.

“Ndaj Teutës është një ndeshje tjetër. Në derbi kemi marrë tre pikë, nuk kemi marrë më shumë. Ishte një ndeshje që fatmirësisht e kaluam me sukses. Kjo është një ndeshje që duhet ta marrim po aq seriozisht se kemi objektivat tonë. Patjetër që do të mundohemi me të gjithë forcat që të japim të njëjtën paraqitje, por t’ia lëmë fushës, deri tani besoj se jemi në rrugën e duhur”.

A i trembeni faktit që skuadra mund të kalojë në eufori?

Swiss Digital Desktop Reklama

Nuk kemi bërë një gjë të jashtëzakonshme, thjesht kemi bërë punën tonë. Por jam i kënaqur që ekipi po rritet, po sillet mirë në fushë, po përgjigjet. Nuk besoj se kemi hapësira dhe arsye të jemi euforikë se ishte vetëm ndeshja e gjashtë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Çfarë mendimi keni për mbrojtjen që ka pësuar vetëm një gol?

Mendoj që është një punë kolektive, në grup. Sigurisht është edhe që jemi me fat që kemi portierin më të mirë në Superiore. Ai është një kapiten brenda fushe dhe jashtë fushe. Megjithatë, pa ndihmën e ekipit e grupit nuk bëhet. Dy fazat i bëjmë mirë,nuk është se kemi qëndruar në mbrojtje, jemi munduar edhe të godasim. Loja në grup ka funksionuar. Shpresoj, se nuk mund të jap garanci e jap fjalën, që të mos pësojmë gol. Por mënyra se si luajmë është e kujdesshme dhe po marrim maksimumin.

A i druheni Teutës që ka mundur Skënderbeun?

Skënderbeu shkarkoi gjithçka që kishte karshi nesh, për shumë arsye dhanë maksimumin dhe ishte normale, fati ishte me ta. Unë e pashë ndeshjen e Teutës, bëri një ndeshje shumë të mirë, e meritoi fitoren. E njohim kundërshtarin, do të flasim me detaje për të, kanë ekip të mirë, luajnë mirë futboll dhe besoj se do të jemi gati të përgjigjemi.

Historia tregon se pas derbit Partizani luan keq në ndeshjen e radhës…

Shpresoj ta prishim syrin e keq, të mos vazhdojmë këtë traditë. Ky nivel që kanë futbollistët sot dhe një pjesë kanë qenë pjesë e kësaj eksperience. Kemi folur me ta dhe vetë ata e kanë shprehur shqetësimin që pas një derbi, duhet të jemi shumë më mirë në takimin e radhës. Është e pashmangshme edhe presioni pozitiv që bëhet, edhe unë kam jetuar disa orë me fitoren e derbit. Nuk mund t’i shmangem as urimeve e as mbështetjes. Por e di se çfarë na pret, na pret një sfidë shumë e vështirë dhe duhet ta kalojmë padyshim me sukses.

Nëse është i kënaqur me fitoret minimale 1-0

Fitorja minimale quhet fitore. Njerëzit kanë dëshira dhe duan të shohin shumë gola, është normale. Për çdo trajner do të ishte e rëndësishme të kishte lojtarë që finalizojnë e shfrytëzojnë shanset e veta. Por unë jam jashtëzakonisht i kënaqur pasi loja në sulm është mbështetur nga lojtarë që nuk janë tipikë sulmues. Kjo më jep optimizëm pasi çdokush po mundohet të bëhet pjesë e lojës, Shpresoj të shfrytëzojmë rastet. Trepikëshi është ai që na jep qetësi, na mban me grupin e pretendentëve. Por kemi gjëra për të korrigjuar.

Çfarë duhet të bëjë ekipi për të fituar titullin?

E kam thënë disa herë që 99% e personave dhe lojtarëve që janë sot nuk kanë lidhje me historinë 25-vjeçare. Duhet të shohim diçka optimiste për të ardhmen, të krijojmë historinë tonë, pa u shkëputur nga historia e kaluar. Besoj se jemi në rrugën e drejtë. Nuk mund të them në javën e gjashtë se jemi për kampion. Nuk është se dua të shmang përgjegjësinë por nuk jemi ndeshur me të gjithë ekipet. Pasi të ndeshemi me të gjithë do të kemi një ide më të qartë. Shpresoj që të vazhdojmë të luajmë si në ndeshjet e fundit. Nuk është garanci që çdo ndeshje të jetë njëlloj. Por uroj që çunat të kuptojnë që progresi bëhet nëpërmjet punës dhe jo me të kaluarën.

A ju shqetëson fakti që mungon një lojtar goli?

Telushi, Asani apo Mala janë lojtarë që bëjnë mirë pjesën ofensive. Edhe goditjet standarde janë pjesë e lojës. Nuk mund të piketoj një lojtar goli sot te grupi im, janë të gjithë që dua të marrin pjesë dhe të jenë afër portës e shënojnë. Është klasike fjala lojtar goli, në Shqipëri nuk e shohim shumë me përjashtim të një apo dy ekipeve. Merkato është mbyllur, këto djem po stërviten shumë mirë, janë të rinj. Por shpresoj që ata të rriten. Do vijë momenti që edhe këta të jenë sulmuesit klasikë.

Çfarë mendon për deklaratën e Ocellit që thotë se nuk është gati për titull?

Ocelli është pjesë e historisë si “ish” të tjerë, kanë të drejtën të flasin, kanë status të veçantë. Ai mund të ketë të drejtë, secili ka perceptimin e vet. Ne jemi modestë, duam të punojmë… Patjetër ka të meta, duke parë edh ekipet e tjera që shihen disnivele. Kampionati është i ngjeshur, i fortë, ka shumë pretendentë. Jemi edhe ne mes tyre, ia lëmë kohës.

A po mendon rotacion në këtë periudhë?

Nuk e kemi vendosur asgjë sot, do të vendosim përsëri në Elbasan. Atje, jemi komod, qetësi, larg zhurmës. Për fat të mirë kam 15-16 lojtarë që janë pretendentë për të luajtur titullarë, është një presion i lehtë, por edhe kënaqësi e optimizëm, edhe nëse ndërrojmë kemi lojtarë që e bëjnë atë punë.

Nëse ka emra të Partizanit të denjë për Kombëtare…

Unë kam qenë vetë trajner i ekipeve kombëtare. Te Shqipëria U-21 kisha njerëz, që më jepnin referenca për moshat. Është kompetencë e Panuccit të përzgjedhë lojtarët. Në fakt, pa dashur të mbaj anën e Partizanit, sepse kombëtarja është e të gjithëve, mendoj se ka emra që mund të mbahen në konsideratë. Uroj që ai që punon mire të shpërblehet. Çdo sportist e ka ëndërr të veshë fanellën e kombëtares. Me aq sa e kam parë kombëtaren, por edhe kampionatin tonë, ka elementë që mund t’i bëjnë punë trajnerit Panucci. Megjithatë, zgjedhjet janë kompetencë e trajnerit kuqezi.

Si ju duket situata e Telushit, që është qetësuar dhe nuk merr aq shpesh kartonë?

Unë e njoh që të ri, është natyra e tij. Kjo natyre i jep vlerë. Duhet ta menaxhojë, ai është prind e sheh futbollin si profesion. Ka mbështetjen tonë, i gjithë ekipi e njeh si lider mes të tjerësh. E dinte që duke marrë karton dëmton ekipin, është në rrugën e duhur. Ky është vetëm fillimi, shpresoj që do të vazhdojë kështu.

A ka dorë te fakti që ekipi është më i qetë me arbitrat?

Të gjithë kemi nga një gjë, nuk është pyetje për t’u shmangur. Unë dua të sillem mirë, edhe me ekipin, edhe jashtë stërvitjes, nuk dua të bëj pëllumbin e paqes, por kjo jetë është e mbushur me urrejtje e futbolli duhet të kënaqë në 90 minuta, jo të dalim duke urryer gjërat. Por ekipi është pjekur, kemi një bashkëpunim shumë të mirë, ku flitet hapur, për të mirën e klubit. Duhet të bëjmë punën tonë, duhet të vrapojmë për 90 minuta, pjesën tjetër ka kush të merret. Askush nuk është perfekt.

Si ju duket opinioni nga jashtë që Partizani është për titull?

Nëse Skënderbeu ndalet rrugës dhe Kukësi, është diçka e mirë, se na jep shans tjetër. Por gjithsesi është fillimi, po të ishte situata në fund të kampionatit, çdo gjë është e drejtë, çdo pikë e lënë, çdo karton i kuq do ta na shkërbente. Sot çdo rezultat i tyre nuk na shkëput, për ne është e rëndësishëm forma jonë, duhet të marrim pikët në maksimum që në fillim, duhet të vlerësojmë ndeshjet e lehta, ky është sekreti se në ndeshjet me të mëdhenjtë karikohet vetë ekipi.

Nëse mungesa e golit e Hebajt e vë në trysni…

Nuk e di kush e njeh Hebajn e Çinarin më mirë se unë, janë 20-vjeçarë. Ai nuk mund t’i bëjë trysni klubit, ai është një djalë që i është afruar projektit, është shumë i mirë, nuk do të kalojë në krizë, do rritet çdo ditë. Ndërrimet ishin të detyrueshme javën e shkuar, se Telushi e Trashi sakrifikuan për ekipin. Kishim planifikuar diçka tjetër, ata që hynë bënë maksimumin, duhet durim, janë 11 që luajnë dhe ne kemi 25 vetë. Nëse kuptojmë qëllimin kryesor, do të presin shansin e tyre

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?