Gega: Për titull flasim kur të jemi afër fundit, për fitore në Gjirokastër
Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka dalë në konferencën e fundit për shtyp për këtë vit, në prag të ndeshjes kundër Luftëtarit në Gjirokastër. Strategu i të kuqve ka besim të plotë te skuadra e tij dhe nuk shqetësohet për mungesën e Telushit.
“Jemi shumë të kënaqur me atë që kemi arritur deri tani sepse po të kthehemi mbrapa në kohë në fillim e punës tonë ka pasur kritikë. Edhe unë personalisht e kam deklaruar edhe herë tjetër që nuk e dija se deri ku do arrinim. I kemi marrë ndeshet me radhë kemi gabuar rrugës, ashtu si edhe kundërshtarët tanë. Kështu funksionon ndonjëherë kur frenohesh i bënë dhurata kundërshtarit dhe në moment të veçanta ai është ndihmë për ne. Mendoj se kemi marrë maksimumin falë punës të ekipit, stafit, jemi jashtëzakonisht të kënaqur edhe privilegj që kemi punuar gjithë këtë periudhë dhe jemi në këtë moment.
Merkato? Kur vjen merkatoja është normale që ekipet shohin aty ku kanë probleme. Shumë emra janë përfolur në media, por nuk ka asgjë konkrete. Kukësi i ka arritur dhe është benefit për ta, por për ne merkato ende nuk ka filluar. Nuk duhet të ngutemi, që të afrojmë dikë duhet të largojmë një tjetër, por duhet të jemi të kujdesshëm të afrojmë lojtarët e duhur në mënyrë që të na japin një shtytje edhe më të madhe për të arritur synimet tona.
Sfida me Luftëtarin? Është e vërtetë që në fazën e dytë patëm një ngërç dhe jo gjithmonë merr maksimumin me lojë të mirë. Në dy raste ne dhuruam paraqitje të mira me Teutën dhe me Kukësin dhe morëm atë që mund të merrnim në moment. Në Gjirokastër shkojmë me synimin për të fituar, përveç Telushit të skualifikuar të gjithë lojtarët janë të gatshëm dhe besoj të bëjmë më të mirën dhe ta mbyllim me sukses.
Presioni? Është gjysma e kampionatit, nuk kemi trysni prej barazimeve. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga e një dhe t’i vlerësojmë që nga Kastrioti e deri te rivali kryesor. E kemi bërë bilancin dhe me këtë grup që kemi mund të arrijmë edhe më lart. Jam me shpresë që pjesa e dytë e sezonit do jetë më e plotë, pasi është krijuar fizionomia e ekipit. Kemi mbështetje të jashtëzakonshme, tifozët kanë besim te ne.
Shkurtaj dhe Rroca? I vlerësoj të dy, sidomos Shkurtajn pasi e kam pasur lojtar te përfaqësuesja e 21-vjeçarëve. Në sport ka alternativa, dikush shkon dhe dikush vjen por nuk ndjej keqardhje duke qenë se nuk e kemi pasur ndonjëherë. Do të ndjeja keqardhje për një lojtar që ka kontribuar dhe jashtë kontrate largohet e nuk e mbajmë dot, por dikë që nuk e kemi pasur i uroj vetëm suksese . Do ta kemi përsëri kundërshtar ishte në Gjirokastër dhe shkoi në Kukës rruga e mbarë i qoftë, është shumë djalë i mire. Ka një projekt, nëse Kukësit i funksionon projekti do të thotë që ka bërë mire. Nëse ne na vjen dikush që bën diferencën do të bëjmë edhe më mire. Me Kukësin jemi rivalë jo armiq, nëse punon mire i japim dorën. Edhe në verë jemi përfolur dhe na është bërë kjo pyetje që kemi patur një merkato të brishtë dhe se Kukësi ka bërë merkato më të mire, por ja ku jemi. Nuk duam më mire , po vazhduam kështu jemi të kënaqur të gjithë.
Titulli? Nuk kemi thënë asnjë moment se jemi për titull. Është gjysma e rrugës, flasim për titull kur të jemi afër fundit, kur ta shohim në horizont. Ky grup që është po bën maksimumin. Nuk kemi presion nga ata që investojnë. Nuk na kanë vënë kusht që të dalim kampion me çdo kusht”, deklaroi Gega.
KOHA JONË SONDAZH

