Gjimshiti: Në Zvicër u zemëruan kur zgjodha Shqipërinë, pasaporta serbe … (VIDEO)
Mbrojtësi i Shqipërisë, Berat Gjimshiti ka folur për karrierën e tij në një intervistë të dhënë së fundmi për “Bergamo TV”. Futbollisti i njohur ka treguar se për momentin gjërat po shkojnë mjaft mirë tek Atalanta, ndërkohë që fillimisht tregoi disa detaje nga momenti kur ishte drejt largimit.
“Drejtori i Atalanta-s më telefonoi dhe ishte ai që më ftoi në grumbullim. Isha paksa i çuditur. ‘Si të vij?!’ e pyeta. Ishte thuajse e sigurt që do të largohesha. Por ai më tha të shkoja se trajneri donte që të kthehesha. Mora valixhet e ika dhe që aty gjërat shkuan mirë. Trajneri më kërkoi të stërvitesha saktë dhe atë po bëj”, tha mbrojtësi kuqezi për televizionin lokal të Bergamos.
Por Gjimshiti nuk është i mirë vetëm në futboll, pasi ai ka aftësi edhe në mësimin e gjuhëve të huaja.
“Flas 6 gjuhë, njërën jo aq mirë. Ndoshta isha pak më mirë në gjuhët e huaja se në gjërat e tjera në shkollë. Në Zvicër kemi bërë frëngjisht e anglisht në shkollë. Jam nga Cyrihu dhe atje flitet gjermanisht. Këtu bëra një muaj shkollë në italisht kur erdha. Pastaj është gjuha shqipe dhe serbo-kroatishtja.
Kombëtarja? Aty flasin të gjithë italisht, flitet vetëm italisht me stafin italian. Tani është Panucci, më parë ishte Tramezzani me De Biassi-n, të gjithë flasin italisht e kuptohet”.
Por fakti që zgjodhi ngjyrat kuqezi shkaktoi qejfmbetje në Zvicër.
“Kam nënshtetësi të trefishtë. E treta është serbe. Familja ime është e lindur në një vend në Serbi që ka vetëm shqiptarë, pak e vështirë ta shpjegoj. Kemi pasaportat serbe, por jemi shqiptarë. Kur ika nga moshat e Zvicrës te Shqipëria e di që janë mërzitur. Kam bërë të gjitha moshat me ta, është edhe çështje parash. Janë lojtarë kandidatë të cilët ata i shohin se mund të shkojnë në ekipin A, dhe ata shpenzojnë për ta, u bëjnë 4 teste të veçanta në vit. Unë isha te ai grup, ndaj u mërzitën kur shkova te Shqipëria”, deklaroi Gjimshiti.
KOHA JONË SONDAZH

