Gjoka: Fitorja me Lushnjën na jep më shumë besim për pjesën e mbetur të sezonit
Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka nuk e ka fshehur gëzimin pas fitores së parë të Vllaznisë për vitin 2018. Skuadra shkodrane fitoi 0-2 ndaj Lushnjës në transfertë me dy gola të Xhevahir Sukajt. Gjoka e ka konsideruar si një fitore që do të rikthejë qetësinë.
“Sot ka qenë një fitore që e prisja dhe besoj se do të na japë marshin që duhet, për të vijuar sezonin. Unë besoj te lojtarët, por është një moment makthi psikologjik, që na ka çuar në këtë gjendje. Këmbëngulëm që të ruajmë përqendrimin gjatë gjithë kohës, por edhe sot pati momente ku e ulëm disi intensitetin. Këtu është përqendruar edhe puna jonë, që të shmangim gabimet, që na kanë kushtuar shtrenjtë.
Është e vërtetë që me Kukësin e Skënderbeun ne duhet të luanim pa presion dhe më të qetë, pasi nuk kemi garë me to, por pritshmëritë e krijuara dhe atmosfera në qytet, bëri që të rritej ndjeshëm adrenalina te skuadra. Kjo javë ishte vërtetë e ngarkuar, por lojtarët janë profesionistë dhe dinë t’i menaxhojnë të tilla situata”, u shpreh Gjoka.
KOHA JONË SONDAZH

