Gjoka: Fitorja na jep vetëbesim, goli i Limajt ishte meritë e tij
Trajneri Ernest Gjoka e nisi në mënyrën më të mirë aventurën e dytë nën drejtimin e Kukësit duke marrë një fitore minimale 1-0 ndaj Laçit me një gol të shënuar nga Limaj. Strategu i njohur vlerësoi mesfushorin dhe shprehu dëshirën që Skënderbeu të fitojë pas pak ndaj Partizanit.
“Jam i kënaqur që goli solli rezultat. Skuadra vinte nga moment jo i mirë, ndaj të tilla fitore sjellin edhe vetëbesim për të kërkuar suksesin. Goli ishte shumë i bukur. Objektivi i Kukësit? Ju i dini dhe i dinë të gjithë, për të vazhduar, deri sa matematika të na e lejojë, deri në fund të garës.
Gjeta një skuadër që ka lojtarë me përvojë brenda dhe ky është fat për një trajner që vjen. Golin e shënoi vetë Limaj, ishte meritë e tij. Skuadra luajti mjaft mirë dhe u përpoq”.
Tifoz me Skënderbeun? Jam me Kukësin. Se çfarë do të bëjë është gjë tjetër. Sigurisht, do të doja që të hapej kampionati… Ndaj, do të doja të fitonte Skënderbeu. Ekipi që është në vend të parë duhet mundur ndonjëherë dhe të bëhet edhe më i bukur kampionati.
Ky Kukës si ai që kisha? Janë ndryshe! Ai Kukës arriti sukses të jashtëzakonshëm. Plot 35 javë pa humbje. Ajo skuadër u bë aq solide, saqë më vjen keq që e mbylli me atë edicion. Ky ekip që kam ka nevojë për vetëbesim, jo për kohë. Ia thashë edhe ekipit, që të ecim përpara”, deklaroi Gjoka.
KOHA JONË SONDAZH

