Goditi arbitrin anësor në Kategorinë e Dytë, policia arreston 30-vjeçarin pas dy muajsh kërkim
Një ngjarje e rëndë ndodhi në ndeshjen e Kategorisë së Dytë mes Delvinës dhe Albpetrol më datë 19 dhjetor të vitit 2020. Arbitri anësor, Elis Pulaj u godit në fushën e lojës nga një person i cili kaloi rrethimin e stadiumit dhe më pas ia doli të largohej.
Policia e shpalli në kërkim autorin e aktit të shëmtuar, ndërsa ditën e sotme, autoritetet kanë bërë të ditur se ky shtetas është arrestuar dhe do të gjykohet për veprat penale të “Goditje të sportistit, arbitrit, trajnerit” si dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”.
Njoftimi i Policisë:
Kapet dhe ndalohet 30-vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Goditje e sportistit, trajnerit, arbitrit” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin:
H., 30 vjeç, banues në Delvinë, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Goditje e sportistit, trajnerit, arbitrit” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi në datën 19.12.2020, gjatë zhvillimit të një ndeshjeje në Delvinë, ka hyrë në fushë dhe ka goditur me sende të forta në kokë arbitrin e ndeshjes, shtetasin E. P.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme procedurale.
KOHA JONË SONDAZH

