Greenwood rinovon me United deri në vitin 2025: Ëndërr e bërë realitet!
Manchester United blindon talentin Mason Greenwood me një kontratë të re. Talenti anglez i rritur si futbollist në akademinë e Djajve të Kuq ka zgjatur deri në vitin 2025 kontratën me skuadrën e Solskjaer me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon.
19-vjeçari është pjesë e United që në moshën shtatë vjeç dhe tashmë numëron 82 ndeshje për klubin anglez ndërkohë që në këtë sezon në 29 takime ka shënuar 4 gola në të gjitha kompeticionet.
“Kur bashkohesh me këtë klub që 7 vjeç, ju thjesht ëndërroni të luani një ditë me ekipin e parë. Kam punuar shumë të arrij këtë nivel dhe dy sezonet e fundit kanë qenë të mrekullueshme. Dua të arrij shumë dhe e di që ky është mjedisi i duhur për të luajtur futbollin.
Po rritem çdo ditë dhe kam akoma më shumë për të dhënë në të ardhmen. Jam shumë i përkushtuar që të punoj dhe të ndihmoj grupin të arrijë suksese. Dua t’ia shpërblej klubit mbështetjen që më kanë dhënë gjithë këto vite dhe t’u tregoj të gjithëve çfarë mund të bëj”, është shprehur Greenwood.
KOHA JONË SONDAZH

