Guardiola komenton super sfidën me Liverpoolin: Nuk jam i pathyeshëm, Klopp u dha një tjetër fytyrë
Liverpool-Manchester City është kryendeshja e javës së 8-të në kampionatin anglez. Dueli që vendos përballë dy skuadrat kryesuese, me të njëjtën kuotë pikësh, 19, mund të jetë përcaktues për t’i dhënë një tjetër rrjedhë këtij sezoni. Pep Guardiola nuk i ka kursyer komplimentet për rivalët, me të cilët City do të përballet në “Anfield Road”. Katalanasi e di mirë se të kuqtë janë një ekip mjaft i fortë dhe kujton se “qytetarët” vjet humbën në 3 takime ndaj tyre.
“Në Champions League luhet 180 minuta, ndërkohë që kampionati vendoset nga 38 ndeshje. Në Premier League kemi dhënë më të mirë tonë, por në Champions jo. Janë shumë transferta të vështira në kampionat, dhe 3 pikët ndaj Liverpoolit kanë të njëjtën vlerë edhe ndaj tyre. Çdo ndeshje është totalisht e ndryshme. Në ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve (sezonin e shkuar) në bëmë një paraqitje të mirë, me përjashtim të fundit të pjesës së parë. Në shtëpi ne luajtëm po ashtu mirë. Nuk ka rëndësi se humbëm. Që kur Jurgeni mori drejtimin Liverpool-it, ai pati mjaft lojtarë të zotë për të kundërsulmuar dhe nga goditjet standarde dhe tri djemtë në ofensivë lidhen me njëri-tjetrin mjaft mirë. Janë një skuadër mjaft e fortë dhe shkuan në finale me meritë. Liverpool u bë një ekip i fortë, sidomos kur Klopp shkoi. Ai është një trajner i shkëlqyer. Unë nuk jam i pathyeshëm. Ata nëse luajnë mirë dhe na mundin, atëherë unë e pranoj’, tha tekniku i Manchester City-t.
Guardiola e pranoi se treshja Sadio Mane, Roberto Firmino dhe Mohamed Salah janë mjaft të rrezikshëm në sulm. “Ata duhen ndalur që të nisen në kundërsulm. Diferenca në Evropë është sa topa humbet dhe jo sa shanse lejon. Ne nuk kemi krijuar një ekip që të mbrojë, duhet të minimizojmë riskun”, përfundoi strategu spanjoll. Në fund ai bëri një analizë edhe të humbjes së fundit të kundërshtarëve të tyre në Ligën e Kampionëve në transfertën ndaj ekipit të Ancelottit: “Napoli është një ekip i jashtëzakonshëm, që luan mjaft mirë dhe stërvitet nga një trajner i zoti. Championsi është ndryshe nga Premier League, një nivel më i lartë dhe rezultati i San paolos është meritë e Napolit, sepse nuk mendoj se Liverpooli luajti keq në atë ndeshje”.
KOHA JONË SONDAZH

