Guardiola projekton rikthimin te Barcelona: E mbyll aty ku e nisa!
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, dëshiron të kthehet në Barcelonë, para se ta përfundojë karrierën e tij të të stërviturit, për të marrë përsëri përgjegjësinë e drejtimit të ekipit B. 47-vjeçari e nisi këtë profesion duke drejtuar Barcelonën B në vitin 2007, përpara se të bëhej trajner i skuadrës së parë katalanase një vit më vonë, pas largimit të Frank Rijkaard.
Me “blaugranat” Guardiola fitoi gjithçka, duke përfshirë tre kampionate të La Ligas, dy Champions League e dy Botërore klubesh. Nga viti 2013 deri në vitin 2016, ai drejtoi Bayernin e Mynihut, ku fitoi 3 Bundesliga radhazi, e që prej 2 vitesh është trajner i Manchester City-t, me të cilin fitoi Premier League në sezonin e shkuar, duke grumbulluar gjithsej 100 pikë.
Me klubin anglez, trajneri katalana ka një kontratë deri në vitin 2021, të cilën me shumë mundësi do ta rinovojë. Ai ka përjashtuar një rikthim si trajner tek ekipi i parë i Barcelonës, por mediat spanjolle kanë aluduar shpesh se në të ardhmen, ai mund të bëhet drejtor sportiv i skuadrës.
“Ekipet e mia do të përpiqen të luajnë si dua. Unë do ta përfundoj karrierën si trajner aty ku e kam filluar. Hapat e mi përfundimtar do të jenë me ekipet e të rinjve. Shpresojmë se do të jetë Barça”, deklaroi Pep Guardiola. Strategu spanjoll e ka nisur mirë sezonin e ri me Manchester Cityn, duke marrë 10 nga 12 pikë në 4 ndeshjet e para, pa harruar fitoren në Community Shield kundër Chelsea.
KOHA JONË SONDAZH

