Guti: Ëndërroj të drejtoj Realin, e pabesueshme ajo që ka bërë Ronaldo
José Maria Gutiérrez Hernández, i njohur për publikun si Guti, tani jeton dhe punon në Turqi, në Stamboll. Ai është trajneri i dytë i Besiktasit dhe po mëson sekretet e një trajneri të njohur si Senol Günes. Ndihet mirë me jetën në Bosfor dhe me profesionin e ri, pasi si futbollist kaloi një periudhë të artë në ekipin e Real Madrid. Guti shënoi 77 gola në 542 ndeshje, duke kaluar një jetë të tërë në klubin mbretëror. Kthimi i Zidane në stol ishte një sinjal i qartë i qëllimeve të presidentit, teksa Guti nuk ngurron që t’i thotë hapur: “Kthimi i Zidanit më befasoi. Ai bëri gjëra të mëdha për klubin, fliste me rezultate dhe ka një miqësi të mirë me Perez. Nëse kthimi i tij do të jetë i mirë për Realin, ne tifozët do të jemi më shumë se të lumtur”.
Për një moment, pas lamtumirës së Lopeteguit, emri i tij u lakua në mediat iberike për të marrë drejtimin e skuadrës. Guti është i vetëdijshëm dhe nuk e fsheh ambicien për t’u ulur një ditë në stolin e ekipit të zemrës. “Nuk mund ta mohoj se më ka shkuar nëpër mend. Gjithsesi unë e di se kam ende shumë për të mësuar, dhe do ta kem mundësinë time. Po të kisha qenë ende në klub, ndoshta do të kisha mundësi të rrija në stolin e ekipit, por një ditë shpresoj të kthehem dhe të bëhem trajner”.
Në fund Guti bën një krahasim mes Ronaldos dhe Messit: “Kam shkruar një status në Twittër se preferoj Messin, por në të vërtet vlerësoj Ronaldon për karrierën e tij. Ai është një lojtar i madh. Messi ka më shumë talente, Ronaldo ka më shumë ambicie, ai është më shumë bombardues sesa Leo dhe e bën vetëm. Është e pabesueshme që ai fitoi pesë “Topa të Artë” në epokën e Messit. Ronaldo është një kampion dhe e tregoi në vitet e tij te Real Madrid”. /Rozalb Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

