Hafizi: Turqia më lart se ne në çdo drejtim, Panucci i paqartë
Sonte në mbrëmje, Shqipëria do të nisë fazën eliminatore të “Euro 2020”, teksa do të përballet me Turqinë e trajnerit Gunes. Disa orë para sfidës trajneri Hafizi ka bërë një analizë.
“Historia ka treguar se në ekipin tonë kombëtar shumë gjëra nuk kanë shkuar ashtu siç janë parashikuar: ose jemi mundur në ndeshjet kur kemi qenë shumë në formë për t’i fituar, ose kemi fituar në një takim që mund të mos e prisnim. Shumë gjëra çalojnë, që nga mënyra e grumbullimit të lojtarëve e deri te mënyra e lojës.
Vërtet Panucci i dha disa sinjale të mira në fillim, qoftë në ndeshjet e mbetura në grup gjatë kualifikueseve të kaluara, edhe pse ne u justifikuam me vështirësinë e kundërshtarëve, qoftë edhe në disa miqësore pasuese. Por gjërat nuk shkuan ashtu siç duhet në vijim. E mbështeta kur donte të ndryshonte fokusin e lojës, të na impononte një lojë më sulmuese, por vura re se shumë gjëra i kishte të paqarta.
Pas cedimit edhe të objektivave në Ligën e Kombeve, unë sot nuk e kam të qartë mënyrën sesi Panucci zgjedh lojtarët për grumbullim. Në ekipin kombëtar ka pasur, ka dhe gjithmonë do të ketë probleme. Ndoshta me De Biasin është parë disi më dukshëm afrimiteti trajner-futbollist, ndërsa Panucci më duket disi i largët. E rëndësishme është që këto probleme të jenë të vogla. Ndoshta ky mund ta ketë nga tipi i tij, edhe si futbollist nuk ka qenë perfekt.
Nëse krahasojmë futbollin turk me atë shqiptar, pothuajse në çdo aspekt ata janë më lart sesa ne, edhe pse shumica e lojtarëve të tyre luajnë në kampionatin vendas. Këtë e tregon edhe renditja e FIFA-s. Por, nëse shohim nivelin dhe atë që japin lojtarët në fushë, kanë paraqitur edhe ata dobësi, teksa nuk kanë mundur të kualifikohen në edicione të shumta të viteve të fundit, që prej vendit të 4-t në Kore-Japoni 2002. Ata janë më mirë sesa ne, pavarësisht se kanë zëvendësuar trajnerin Lucescu me Şenol Güneş, përkohësisht në krye, por kanë më shumë përvojë dhe eksperiencë”, deklaroi Hafizi për “Top Talk”.
KOHA JONË SONDAZH

