Hasani: Ju tregoj sekretin pse jam bomberi i Tiranës
Edon Hasani njeriu i ndeshjes Tirana-Flamurtari, goli i të cilit vendosi fatin e takimit vetëm pak minuta para përfundimit të përballjes në “Selman Stërmasi”. Në fjalën e tij pas ndeshjes së fituar nga bardheblutë me rezultatin 1-0, Hasani ka argumentuar pse është ai bomberi i 24 herë kampionëve në këtë sezon, teksa ka theksuar nevojën emergjente për përforcime në skuadër.
“Duke luajtur pas sulmuesit, në pjesët e dyta të ndeshjeve, kam qenë më afër portës e kam pasur rastin të shënoja. Në pjesën e parë isha larg portës, para mbrojtjes. Kur u fut Ngoo, dola pas tij, ai është shtatlartë dhe krijon shumë hapësira për mua. Kështu ndodhi edhe në Laç, i shkojnë dy kundërshtarë dhe më takon mua të gjej hapësira për të shënuar.
Edhe para ndeshjes po shihja Kamza-Skënderbeu. Kur mbaroi ndeshja me fitoren e Kamzës, u motivova edhe më shumë. Rëndësi ka që morëm tri pikët, nuk ka rëndësi a shënon Hasani apo dikush, tani që kemi fazën përgatitore, të rritemi sa më shpejtë dhe kemi nevojë për merkato në mënyrë urgjente.
Unë mundohem të jap më të mirë, ka raste kur të del fati. Unë bëj maksimumin për të shënuar e dhënë asist për shokët. Të jemi realist, kemi nevojë për çdo repart, mbrojte, mesfushë dhe sulm. Besoj se e shihni edhe nga rezultatet se Tirana ka bërë lojëra shumë të mira dhe në fund vlerësohesh me pikë dhe në këtë pozitë në renditje, duhet merkato në çdo repart. Shihet nga ndeshjet dhe si kemi pësuar gola nga fajet tona.
Borxh ndaj tifozëve? Normalisht duhet të jemi një, të gjithë bashkë. Kemi nevojë edhe për mbështetjen e tifozëve se pa ta nuk ia dalim. Ata duhet të na kuptojmë. Me këto rezultate që kemi ndonjëherë i meritojmë sharjet, se jemi Tirana. Por duhet të jemi të gjithë bashkë, ne në fushë, presidenca, stafi, të bëhemi bashkë për të mirën e Tiranës. Askush nuk do që Tirana të jetë në këto kushte”, tha Hasani.
KOHA JONË SONDAZH

