“Inter e shiti Icardin te Juvja”, Wanda Nara zbulon prapaskenat e merkatos
Agjentja dhe bashkëshortja e Mauro Icardit, Wanda Nara së fundmi ka shkaktuar shumë zhurmë në Itali me një deklaratë që ka dhënë mbrëmjen e djeshme në emisionin “Tiki Taka”.
Bukuroshja argjentinase zbuloi se në sezonin e fundit të merkatos, Icardi ishte me një këmbë jashtë Interit, dhe se për të kishte shprehur interes Juventusi. Edhe pse bardhezinjtë ofruan më shumë para, bomberi zikaltër e kishte refuzuar ofertën.
“Në merkaton e fundit Mauro ishte me një këmbë jashtë. Interi e kishte shitur Icardin te Juventusi, donin ta dërgonin në Torino. Ishte Mauro ai që i tha “jo”, edhe pse i ofruan shumë para. Juventusi për të më bindur më tha që do të formonte dyshen e sulmit me Ronaldon dhe në fund portugezi erdhi me të vërtetë në Torino. Ata thanë se Icardi do të jetë i vetmi numër 9.
Rinovimi? Jemi shumë larg dhe më bezdis gjithçka që është shkruar këto ditë. Ikardi nuk është një lojtar që duhet vënë në diskutim, duhet të rinovojë dhe pikë, nuk është çështje parash. Më mirë të mos flas për merkaton, më vjen të qesh kur dëgjoj se për të nuk ka kërkesa.
Prioriteti i tij është të qëndrojë, por nuk ekziston asnjë ofertë e Interit. Më kishin kontaktuar në mes të pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve por u thashë të prisnin sa të mbyllej grupi. Do të bëhet darka e Krishtlindjeve te Interi, do të më vrasin për këtë që po tregoj. Më mirë të marr ushqime me vete nga shtëpia”, u shpreh Wanda Nara.
KOHA JONË SONDAZH

