Juventus nis takimet e fshehta, synohet Guardiola ose Pochettino
Nga momenti i shkarkimit të Massimiliano Allegrit nga Juventusi dhe deri më sot nuk flitet për tjetër gjë, veç emrit që do ta pasojë në krye të bardhezinjve. Paratici dhe Nedved përsërisin vazhdimisht frazën “kush do të jetojë, do ta shohë”, por emrat që zbulohen në media shtojnë çdo ditë e më shumë fantazinë. Drejtori Sportiv është shprehur se i ka idetë e qarta se cili do të jetë emri që do të marrë drejtimin e ekipit torinez, por duhet durim derisa ta bëjë të ditur emrin. Në fakt ai nuk qëndron aspak në vend, pasi së fundmi është parë shumë aktiv në Milano.


Paratici ka takuar në “Palazzo Parigi Hotel” një specialist në merkato, Frank Trimboli, i cili punon si agjent në aksin Itali-Angli. Në diskutimet me të sigurisht që është folur për dy emra konkret: Guardiola dhe Pochettino. Profile shumë të vështira për t’u rrëmbyer, por bardhezinjtë do të tentojnë deri në fund të merkato. Nëse Guardiola përfiton 20 milionë euro në sezon dhe as që ka dyshimin më të vogël për t’u larguar në fund të këtij sezoni, shumë ndryshe është situata e Pochettinos. Trajneri argjentinas, por me origjinë nga Piemonte e Torinos, është i gatshëm që të heqë dorë nga paga prej 18 milionë eurove, për të filluar një aventurë të re me një ekip që ëndërron Championsin.
Për momentin janë vetëm në kuadrin e zërave mediatik, por edhe një ish-trajner si Marcelo Lippi, ka konfirmuar se profili i trajnerit që kërkon Juventusi mund të jetë në finalet europiane gjatë këtij sezoni. Nuk mund të harrohet as pista që të çon te Maurizio Sarri, pasi strategu i Chelsea-t mund të jetë një zgjidhje për t’i dhënë ekipit një tjetër “fytyrë”, një lojë më argëtuese, por dyshimi mbetet se sa fituese? Një dilemë që me shumë mundësi do të zgjidhet në ditët e para të qershorit, kur edhe do të jetë mbyllur sezoni në të gjitha turnetë në Europë. Një gjë ndërkohë mbetet e sigurt: Juventus po i lëviz të gjitha kartat për të bërë të mundur ëndrrën realitet. /Rozalb Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

