Klodian Gjata zgjidhet anëtar i Bordit Ekzekutiv të Unionit Ballkanik të Pingpongut
Për të parën herë Shqipëria do të ketë përfaqësuesin e saj në një Bord Ndërkombëtar Ekzekutiv të Pingpongut
Halil RAMA
Një lajm entuziast për gjithë sportistët dhe sportdashësit shqiptarë. Arbitri Ndërkombëtar i mirënjohur Klodian Gjata, pas mbledhjes të Unionit Ballkanik të Pingpongut (ku janë anëtarë 12 shtete të Ballkanit), të zhvilluar në Beograd (Serbi), më 10 nëntor 2018 u përzgjodh anëtar i Bordit Ekzekutiv për 4-ër vitet e ardhshme, (2018-2022).
Është nder dhe privilegj i madh për Klodin dhe Federatën Shqiptare të Pingpongut, që për të parën herë të ketë përfaqësuesin e saj në një Bord Ndërkombëtar Ekzekutiv të pingpongut.
Njëkohësisht është një përgjegjësi e lartë që kërkon përkushtim, vullnet dhe profesionalizëm, për këtë promovim dhe arritje profesionale të Klodit.
Pingpongu ka qenë pasioni i tij që në fëmijëri dhe asnjëherë nuk ka hequr dorë prej tij.
Falë talentit, profesionalizmit dhe punës gjithë përkushtim ai ngjiti shkallët e karrierës, si sportist e më pas si një gjyqtar ndërkombëtar., për arritur deri në Bordin Ekzekutiv të Unionit Ballkanik.
Aktualisht është i vetmi gjyqtar ndërkombëtar shqiptar për kampionatet europiane dhe botërore të pingpongut. Ajo çka vlen të theksohet është fakti që është përzgjedhur si arbitër “white Badge”i “Xhaketave të Bardha” çka do të thotë se ka qenë gjyqtar për grupet e ndeshjeve finale në disa kampionate europiane e botërore të pingpongut.
Zgjedhja e tij si anëtar i Bordit Ekzekutiv të Unionit Ballkanik të Pingpongut parasëgjithash është vlerësim për këtë personalitet të shquar të pingpongut shiiptar, por edhe inkurajim për të njohur shkallë të reja ngjitjeje në karrierën e tij.
Kjo doemosi i hap dyert dhe Federatës Shqiptare të Pingpongut, për një prosperitet e promovim profesional të këtij sporti të dashur e në ngritje viteve të fundit.
Në këtë angazhim, Klodi do të ketë përkrahjen e plotë të Federatës Shqiptare, gjithashtu edhe nga Federatat Rajonale, të cilat vendosën Klodianin në këtë organ ekzekutiv. Kjo arritje i hap dyert edhe Federatës Shqiptare të Pingpongut, për një prosperitet profesional të këtij sporti të dashur qe viteve të fundit ka pasur arritje te suksesshme.
Në këtë intervistë eksklizive për “Koha Jonë” z.Gjata thekson karakterin objektiv të këtij funksioni mjaftë të përgjegjshëm si dhe ndikimin e tij në sportin shqiptar të pingpongut.
Z.Gjata, ku konsiston përgjegjësia juaj në këtë funksion të ri?
Së pari falenderoj Federatën Shqiptare të Pingpongut për mbështetjen e vazhdueshme dhe nominimin tim për t’u zgjedhur në Bordin Ekzekutiv të Unionit Ballkanik, ku të pranishëm në votim ishin përfaqësuesit e 12 shteteve anëtare.
është hera e parë që Shqipëria do të ketë përfaqësuesine saj në një Bord Ekzekutiv Ndërkombëtar. Kjo më obligon të rrisë angazhimin dhe përgjegjësinë për masivizimin e sportit të Pingpongut në rajonin e Ballkanit.
Njëkohësisht është një përgjegjësi e lartë pasi promovimi i sportit në Ballkan, kërkon përkushtim, vullnet dhe profesionalizëm.
Kur ka nisur karriera juaj në këtë sport?
Pingpongu ka qenë pasioni im që në fëmijëri dhe asnjëherë nuk kam hequr dorë prej tij. Për herë të parë kam filluar të luaj në klasën e tretë, kur kam qenë vetëm 9 vjeç. Në vitin 1995 kam marrë pjesë për herë të parë si sportist në ekipin e Elbasanit, në të cilin isha pjesë deri në vitin 2005.
-Cilat kanë qenë disa nga arritjet tuaja si sportist?
Në vitin 2000 u shpalla kampion kombëtar për moshën 18-vjeçare, sërish në ekipin e Elbasanit, me trajner Gëzim Tusunin. Më pas kalova në kategorinë e të rriturve, sërish në këtë ekip, ku kemi dalë disa herë kampion vendi. Ndërsa nga viti 2005 e në vazhdim kalova në ekipin e Studentit, ku shumë herë jemi shpallur nënkampion të Shqipërisë në rang ekipor.
-Kur ndodhi kalimi juaj nga sportist në gjyqtar pingpongu?
Në vitin 2012 unë bëra një shkëputje nga jeta aktive si sportist dhe kalova në kategorinë gjyqësi-gjyqtar, të cilën e vazhdoj edhe sot. Aktualisht jam i vetmi gjyqtar ndërkombëtar shqiptar për kampionatet e pingpongut. Ajo çka vlen të theksoj është fakti që jam përzgjedhur si arbitër i “Xhaketave të Bardha” çka do të thotë se kam qenë gjyqtar për grupet e ndeshjeve finale në disa kampionate europiane e botërore të pingpongut. Kam arritur të kaloj me sukses disa testime periodike, që më dhanë të drejtën për të marrë pjesë jo vetëm në nivel olimpiade, por edhe në rang botëror.
-Cilat janë disa nga kampionatet ku ju keni qenë gjyqtar?
Pasi kalova si gjyqtar, mora pjesë në një turne testues në Slloveni. Ndërkohë, kam marrë pjesë dy herë në kampionatet botërore të pingpongut, një në Japoni dhe tjetri në Malajzi si dhe tri herë në finalet e kampionateve europiane, specifikisht në Portugali në vitin 2014, në Rusi në 2015-ën dhe në kampionatin e pingpongut në vitin 2016 në Hungari. Këtë vit u përzgjodha sërish si gjyqtar në Kampionatin Europian Ekipor në Luksemburg, ku çdo gjë u realizua me sukses dhe u përpoqa të jepja maksimumin tim. Gjithashtu, kam qenë edhe kryegjyqtar i kampionateve ballkanike në Shtip të Maqedonisë në vitin 2015 dhe e në Kosovë.
-Ç’mund të thoni më konkretisht për funksionin tuaj në këtë Bord Ndërkombëtar?
Eksperienca ime në fushën e arbitrimit do të ndikojë në krijimin e një strukture mmë efikase për rritjen e aftësive trajnuese, profesionale të arbitrave në rajonin e Ballkanit.
Synojmë që gjatë këtij mandati të trajnojmë dhe liçensojmë 20 arbitra ndërkombëtarë të Pingpongut.
-Në optikën tuaj, cilat janë arritjet e sportit të Pingpongut në vendin tonë dhe si do të ndikoni në rritjen e tyre në të ardhmen.?
Për herë të parë në vitin 2015, në Prishtinë, kombëtarja shqioptare e vajzave U-15 zuri vendin e tretë në Ballkan në garën ekipore.
Në vitin 2017 kampionia e shumëfishtë, Liridona Rexha me trajner Mjeshtrin e Sportit Musa Tërniqi, zuri vendin e tretë në garën individuale në rang Ballkani.
Ka dhe raste të tjera aritjesh inkurajuese të sportistëve shqiptarë në këtë sport, por ajo që dua të theksoj është domosdoshmëria e masivizimit të tij, sidomos nëpër shkollat tona, ku janë më evidente mundësitë për ngritjen e fushave të pingpongut.
KOHA JONË SONDAZH

