Kombinimet se si Juventus shpallet kampion dhe vendos rekord në Seria A
Kampionati i tetë radhazi është vetëm një hap larg për Juventusin, i cili pret vetëm aritmetikën për të festuar fitoren e një kampionati të dominuar. Bardhezinjtë kanë fituar 81 pikë nga 90 të mundshme deri më tani, si rezultat i 26 fitoreve, 3 barazimeve dhe vetëm një humbjeve ndaj Genoas në 30 ndeshje. Një rrugëtim rekord, duke u shkëputur ndjeshëm nga vendi i dytë, pasi Napoli këtë mesjavë u mund 2-1 nga Empoli në mënyrë surprizë. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që një skuadër të udhëheq me 18 pikë nga vendi i dytë brenda 30 javësh kampionat. Një situatë që i jep mundësinë Juventusit që të luajë “matchball”-in e parë të fitores së kampionatit që në duelin e kësaj fundjavë.
Në rast të një triumfi ndaj Milanit, e pasur edhe nga një humbje e Napolit kundër Genoas në “San Paolo”, do t’i dërgonte bardhezinjtë në një distancë 21 pikë nga vendi i dytë. Me 7 javë nga fundit, do të siguronte aritmetikisht titullin kampion, duke vendosu një rekord të ri në Seria A. Për të pasur sigurinë aritmetike për të fituar titullin, Juventusit i duhen vetëm 6 pikë. Dy fitore do t’i jepnin mundësinë bardhezinjve që të festonin, pa marrë parasysh rezultatet e Napolit. Edhe nëse kampionati do të sigurohet ndaj Spalit, do të jetë sërish një rekord, pasi 6 javë nga fundi asnjë skuadër nuk ka mundur që ta fitojë titullin kaq shpejt.
Në 80 vitet e fundit, ka ndodhur vetëm në tri raste që kampionati është fituar 5 javë nga fundit: Torino sezoni 1947/48, Fiorentina 1955/56 dhe Inter 2006/07. Skuadraq e Massimiliano Allegrit duket se këtë sezon ka vendosur për të thyer pikërisht këtë rekord, duke fituar titullin e 8-të radhazi, edhe ky një tjetër rekord më vete, pasi asnjë skuadër nuk ka mundur që të fitojë kaq shumë radhazi. /Rozalb Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

