Krasniqi: Me Partizanin ndeshje e veçantë, Cungut i kam treguar disa sekrete
Një ditë përpara sfidës me Partizanin mbrojtësi Gëzim Krasniqi foli përpara gazetarëve për situatën në ekip, përballjen me ish-skuadrën e tij, ndryshimin e skemës së lojës si dhe situatën e Reginaldos.
“Të jem i sinqertë, ndeshja e nesërme përballë Partizanit është shumë emocionuese për mua, pasi prej disa vitesh kam qenë pjesë e të kuqve. Dikur, kur isha pjesë e ekipit kryeqytetas, ‘luftoja’ për të mundur skuadrën e Kukësit ndërsa sot ndodh e kundërta.
Është një ndeshje e veçantë dhe shpresoj të arrijmë që ta fitojmë këtë sfidë. Ka ardhur koha që edhe ekipin e Partizanim ‘ta ulim me këmbë në tokë’. Si ish lojtar i të kuqve kam biseduar me trajnerin Cungu dhe me zëvendës trajnerin Hallaçi për disa element të veçantë që skuadra e Partizanit i disponon.
Nëse skuadra jonë e humbet këtë sfidë nuk duhet ta humbasë nga gabimet tona, por me meritë të kundërshtarit, ndërkohë që i kemi marë të gjitha masat për të mos ndodhur një gjë e tillë. Unë kam respekt për klubin e Partizanit si dhe tifozët, pasi kam kaluar një kohë të konsiderueshme në atë skuadër.
Do të dëshiroja shumë që ndeshja e nesërme të luhej më praninë e tifozëve e të dyjave ekipeve. Skema e re 3-4-3, e aplikuar 3 ndeshjet e fundit, ka rezultuar me sukses, pasi kemi arritur të marrim pikët maksimale gjatë tre ndeshjeve të fundit. Sa i takon situatës së sulmuesit Reginaldo mund të them që mozambikasi ka qenë i shpërqendruar për arsyet e tij familjare, por tashmë është stërvitur mirë me skuadrën dhe shpresoj që të ndikojë në fitoren e ndeshjes”, deklaroi Krasniqi.

KOHA JONË SONDAZH

