Kukësi fitore në “frymën e fundit” ndaj Luftëtarit, Et’hemi heroi i verilindorëve (VIDEO)
Kukësi merr 3 pikë shumë të rëndësishme në transfertën ndaj Luftëtarit. Skuadra e Cungut fitoi 0-1 falë një goli të shënuar 3 minuta nga fundi i kohës së rregullt nga Valon Et’hemi. Verilindorët vuajtën jo pak ndaj skuadrës së drejtuar nga Gentian Mezani, pasi përveç vështirësive për të kërcënuar portën e kundërshtarëve, shpeshherë u përballën edhe me kundërsulmet e rrezikshme të vendasve.
Nga ana tjetër Luftëtari, pas një pjese të parë mjaft të mirë, 45-minutëshin e dytë e luajti thuajse të gjithën me një lojtar më pak, pasi mesfushori shkodran Ramadani u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 47-të dhe la fushën e lojës.
Gjithsesi për 87 minuta, bluzinjtë rezistuan mjaft mirë, duke u mbrojtur me fanatizëm, deri sa Etemi nisi një aksion personal dhe pasi kombinoi me një nga shokët e skuadrës, gjuajti nga pranë pikës së penalltisë dhe kaloi topin poshtë duarve të portierit Ruçi, i cili e preku, por nuk ia ndali drejtimin për në rrjetë.
Me këtë fitore, Kukësi ngjitet në kuotën e 27 pikëve, duke parakaluar Teutën dhe Laçin, por njëkohësisht duke ruajtur ritmin e Partizanit kryesues, që ka 34 pikë, ndërsa gjirokastritët mbeten në kuotën e 13 pikëve, në vendin e 7 të renditjes.
KOHA JONË SONDAZH

