Lazio hakmerret ndaj Atalantës, Muriqi gjen sërish rrugën e rrjetës (VIDEO)
Lazio merr hak menjëherë ndaj Atalantës për eliminimin në Kupën e Italisë. Bardhekaltrit morën një fitore 3-1 në transfertën ndaj bergamaskëve në një sfidë të administruar mjaft mirë nga ekipi i Inzaghit.
Adam Marusic zhbllokoi ndeshjen që në minutën e 3-të me një super gol nga distanca, duke mos i dhënë asnjë shans reagimi portierit Gollini. Në fillimin e pjesës së dytë, Lazio do të dyfishonte avantazhin. Correa harrohet nga mbrojtja e Atalantës, teksa e ka të thjeshtë për të shmangur portierin dhe më pas për ta shtyrë “sferën” në rrjetë.
Skuadra e Gasperinit zgjohet në minutat e fundit. Pas një veprimi të bukur të Muriel në hyrjet të zonës, topi përplaset në shtyllë dhe më pas shkon në këmbët e Pasalic, që realizoi me lehtësi. Gjithsesi Lazio do të reagonte sërish, pasi 7 minuta nga fundi, Vedat Muriqi do ta kishte lojë fëmijësh dërgimin e topit në kuadrat. Ky është goli i dytë brenda javës për sulmuesin kosovar kundër Atalantës. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

