Lejoi transmetimin e ndeshjeve në “Digitalb”, FSHF sqaron si u zgjidh ngërçi
FSHF ka vendosur që të lejojë sërish kompaninë “Digitalb” që të transmetojë ndeshjet e Kategorisë Superiore. Më anë të një reagimi për mediat, institucioni i futbollit shqiptar ka sqaruar se kompania ka pranuar që të paguajë një pjesë të detyrimeve. Nëse kjo nuk do të ndodhë transmetimi do të ndërpritet sërish.
Njoftimi për shtyp
Federata Shqiptare e Futbollit i bën me dije opinionit publik se 4 ndeshjet e vlefshme javës së 29-të të Kategorisë Superiore të programuara për t’u luajtur sot do të transmetohen në platformën televizive të shoqërisë “Digitalb”.
Më konkretisht, ndeshjet KF Vllaznia – KF Bylis (ora 17:00), FK Kukësi – Flamurtari FC (ora 17:00), KF Skënderbeu – KF Laçi (ora 18:00) dhe KF Teuta – KF Tirana (ora 20:00) do të mund të ndiqen nga të gjithë sportdashësit në platformën e “Digitalb”.
FSHF ka negociuar gjatë kësaj kohe me subjektin e licencuar për zbatimin e kushteve të dakordësuara në kontratë dhe përmbushjen e detyrimeve financiare për të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të Kategorisë Superiore.
Pas diskutimeve të vazhdueshme shoqëria “Digitalb” ka vendosur të paguajë një pjesë të detyrimeve që ka ndaj FSHF-së sipas kontratës, duke zhbllokuar përkohësisht ngërçin.
Ndërkohë, që ky ngërç të zgjidhet përfundimisht shoqëria duhet të shlyejë këstin e radhës brenda javës sipas marrëveshjes së dakordësuar. Në të kundërt situata e së dielës mund të përsëritet.
FSHF siguron edhe një herë të gjithë sportdashësit se ka punuar dhe do të punojë për të mirën e futbollit shqiptar, që sportdashësit të mos humbasin për asnjë çast mundësinë për të ndjekur ndeshjet e skuadrave të tyre të zemrës edhe në kushtet e imponuara nga pandemia COVID-19.
KOHA JONË SONDAZH

