Llullaku i befason të gjithë, gol në Kazakistan dhe më pas merr avionin për në Itali
Azdren Llullaku ende nuk e ka gjetur skuadrën për muajin janar. U duk se gjithçka kishte përfunduar për sulmuesin e Kombëtares sonë, i cili nisi stërvitjen me skuadrën e re, madje sot zhvilloi edhe ndeshjen e parë miqësore.
E ardhmja e 29-vjeçarit është rrethuar nga misteri dhe befasia. Kjo për faktin se pas prishjes së kontratës me Astanën, u duk sikur karriera e Llullakut do të vazhdonte në Premier Ligën kazake me Ordabasin. Prej disa ditësh sulmuesi i ishte bashkuar ekipit të ri në Turqi për fazën përgatitore, madje në miqësoren e së mërkurës, të barazuar 2-2 me çekët e Sllovaçkos luajti titullar dhe shënoi njërin prej golave të skuadrës së tij.
Entuziazmi për këtë paraqitje nuk zgjati shumë pasi Llullaku dhe klubi i Ordabasit nuk firmosën kontratë, pasi nuk ranë dakord për detajet e marrëveshjes sipas “Super Sport”. Prej situatës së krijuar, kuqeziu mori menjëherë avionin drejt Bolonjës, ashtu siç e konfirmoi edhe në faqen e tij në “Instagram”. Udhëtim jo i rastësishëm, sepse në Itali është fare pranë mbylljes së akordit me Virtus Entelan. Edhe pse merkato në Serinë B është mbyllur, djaloshi nga Istogu mund të përfitojë nga rregulli i transferimit si lojtar i lirë dhe mund të realizojë ëndrrën për të luajtur në vendin ku është rritur dhe pranë familjes së tij.
Pas mbrojtësit Naser Aliji që ishte pa ekip, në klubin e Serisë B italiane në këtë mënyrë do të shkojë edhe Llullaku, i cili nuk ka pasur një aventurë të suksesshme në muajt e fundit në Kazakistan.
KOHA JONË SONDAZH

