Mbrojtësi Kryeziu braktis grumbullimin, atmosferë pozitive në kombëtare
Përfaqësuesja Shqiptare po vijon fazën parapërgatitore për dy ndeshjet ndaj Islandës dhe Moldavisë. Në seancën e tretë, nën drejtimin e Edy Rejas, nuk ka qenë i pranishëm Drilon Kryeziu. Mbrojtësi, i cili aktivizohet te skuadra sllovene Triglav Kranj, ka shqetësime në kavilie dhe kjo e ka penguar të zbresë në stërvitje.
Përveç 9 futbollistëve të përzgjedhur nga Reja, kanë vijuar të jenë së bashku me skuadrën A edhe 12 lojtarët e Shpresës, e për të pasur një numër të plotë futbollistësh, tekniku, pas dëmtimit të Kryeziut, ka afrua nga përfaqësuesja e 20-vjeçarëve lojtarin e Tiranës, Jurgen Celhaka. Atmosfera që e rrethon kombëtaren kuqezi është mjaft e ngrohtë. Ardhja e Rejas duket se ka sjellë qetësinë e munguar. Seanca ka nisur me ushtrimet e zakonshme, që shërbejnë për ngrohjen e muskujve, ndërsa janë ndarë menjëherë veçmas të tjerëve dy portierët, Alban Hoxha dhe Andrea Hoxha.
Më pas, nën vëzhgimin e Rejas dhe në drejtimin e Ervin Bulkut, stërvitja ka vijuar me vrapime gjysmë të gjata me progresion, te cilat i shërbejnë anës fizike të lojtarëve. Nuk ka munguar kontakti me topin me ushtrime të veçanta. Gjithçka është mbyllur me një mini-ndeshje brenda grupit, e cila i ka shërbyer trajnerit 73-vjeçar për të kuptuar edhe më mirë gjendjen e lojtarëve aktuale, pse jo edhe për t’i testuar ata.
Ky grup do të vijojë të stërvitet së bashku deri të shtunën, ndërkohë që të hënën, në orën 11:00, Edy Reja do të zyrtarizojë listën përfundimtare për dy sfidat e qershorit ndaj Islandës e Moldavisë.
KOHA JONË SONDAZH

