Mema: Idrizin e kam mik, por këtë herë fati i buzëqesh Tiranës
Tirana do të kërkojë rikthimit te rezultatet pozitive në sfidën e nesërme ndaj Flamurtarit. Trajneri i bardhebluve, Ardian Mema është i ndërgjegjshëm së në Superiore mund të mposhtësh këdo, ashtu si mund të dorëzohesh ndaj çdo skuadre, teksa nuk nguron t’i përgjigjet administratorit të Flamurtarit, Idrizi, që e konsideroi Memën një “hajmali” për kuqezinjtë.
“Presidentin Idrizi e kam shumë mik dhe ai shquhet për batutat e tij me humor. Besoj se këtë herë fati do të na buzëqeshë neve dhe shpresoj që Idrizi të jetë në stadium, për të qenë ai fatsjellësi i Tiranës.
Jemi ndëshkuar thuajse në vijimësi nga gabime në kufijtë e amatorizmit. Një trajner i parë duhet të përgatisë strategji dhe jo t’u mësojë futbollistëve gjëra që duhet t’i kishin mësuar gjatë kohës kur luanin me ekipet e moshave, pasi kjo kërkon goxha kohë. Nuk mund të merremi me gjëra elementare.
Për vetë pozitat ku jemi, patjetër që kemi nevojë për sa më shumë pikë, ndaj edhe unë do të preferoja fitoren para lojës së bukur. Më pas, nëse vijnë pikët, do të mund të fitojmë qetësi dhe besim për të shkuar te loja e bukur”, deklaroi trajneri i bardhebluve.
KOHA JONË SONDAZH

