Mema: Lojtarëve u mungon karikimi, kishte një skenar me tifozët
Trajneri i Tiranës, Ardian Mema është shprehur shumë i pakënaqur me shumë nga futbollistët e ekipit të tij që nuk kanë shpirtin e sakrificës. Strategu bardheblu ka zbuluar se ka pasur edhe një prapaskenë për hyrjen e tifozëve në fushë, por që u evitua.
“Normalisht ekipi ka qenë nën presion, jemi munduar ta shmangim presionin dhe t’iu flas me kujdes. Ka qenë një ndeshje e konsideruar si finale, por vetëm finale nuk ishte. Nuk dhanë asgjë në fushë për një ndeshje kaq të rëndësishme. E para te përzgjedhja është karakteri sportiv. Sado cilësi të ketë, karakteri sportiv bën edhe të pamundurën, bën të japë 120 përqind në fushë. Ka lojtarë që kanë problematikën e vet, shumica të Tirana kanë problemin e karikimit dhe këtë e bën karakteri sportiv. Ky është tregues për përzgjedhjen te moshat, nuk zgjidhet një sportist nëse nuk ka karakterin sportiv, është problematikë e shfaqur gjatë gjithë kohës.
E gjithë kjo lloj situate, ishalla përfundon mirë në favorin tonë, por që do të ketë një analizë si klub, të bëjë analizën e vet që të mendojë e të veprojë në të ardhmen se si duhet për sa i përket përzgjedhjes. Çdo trajner mundohet të bëjë punën e vet si duhet, pjesën e karikimit edhe nëse nuk e kanë. Unë kam bërë zgjedhjen time, nuk e kam ditur gjendjen kur erdha. Do të luftojmë deri në fund, do të punojmë shumë këto ditë të mbetura se ndeshja është në mesjavë, që të kalojmë këtë situatë të vështirë. Ky është një nga momentet më të vështira që po kalojmë. E kam cilësuar me miqtë e mi si fatkeqësi nëse Tirana do të binte në kategorinë e dytë.
Unë mendoj që tifozët duhet të jenë pjesë e klubit, kemi lidhje shpirtërore me tifozët. Por me sa di unë ka qenë një problematikë që ndoshta mund të hynin në fushë e prishnin ndeshjen e kjo mund të bënte dëm ekipit. E saktësoj, jo tifozët e Tiranës, ndoshta ishte skenar i tillë e klubi mund të merrte barrë të madhe përsipër”, tha Mema.
KOHA JONË SONDAZH

