Mema: Partizani na la me trauma, jemi në gjendje të vështirë
Ardian Mema ende nuk e ka shijuar ende fitoren e parë tek Tirana, dhe gjendja tek bardheblutë është shumë e keqe, duke parë renditjen, por edhe pas derbit të humbur me përmbysje një javë më parë. Në konferencën për shtyp para ndeshjes së kësaj jave ndaj Kastriotit, një sfidë direkte për mbijetesë, trajneri i 24-herë kampionëve foli për shumë çështje te kampi bardheblu.
“Ndaj Kastriotit do të jetë shumë e vështirë, sepse ndeshja e fundit ka lënë një lloj traume tek ekipi. Kampionati është bërë i vështirë, vetë Kastrioti fitoi ndeshjen e fundit me Vlorën. Duhet të jetë si një finale, sepse nuk kemi më kohë të presim. Këtë lloj situate duhet ta kalojmë se s’bën. Kjo gjë kalohet me punë, përpjekje dhe përqendrim.
Sa i përket përgatitjes së ekipit pas derbit, kjo është sinqerisht e vështirë. Ekipi ka pasur probleme me derbin. Gjithsesi, ka lënë gjurmë në 2-3 ditët e para të javës, megjithatë unë kam folur dhe jam përpjekur shumë që të zbus situatën sa duhet për të menaxhuar grupin dhe për të kaluar në ndeshjet e radhës, ashtu siç duhet të luajë Tirana dhe për të arritur fitoret, që janë shumë të mirëpritura te ky klub.
Mundet të kemi ndryshime dhe në formacion në vazhdimësi. Gjërat duhet të ndryshojnë se s’bën. Përqendrimi duhet të jetë më shumë se 90 minuta dhe ky ekip nuk duhet ta humbë përqendrimin. Kjo është pjesa që kemi pësuar gola. Lojërat tona kanë qenë të mira, por kemi pësuar gol dhe kjo është pjesa që kemi analizuar gjatë gjithë kohës.
KOHA JONË SONDAZH

