Mema: Po më pushonte zemra nga fundi, mbijetesa s’ka mbaruar
Fitorja ndaj Skënderbeut, i ka dhënë më shumë siguri Tiranës në synimin për të siguruar qëndrimin në Kategorinë Superiore. Pas ndeshjes trajneri Mema u shpreh se e përjetoi shumë ndeshjen e sotme, ndërkohë që mbijetesa ende nuk është zgjidhur sipas tij.
“Po na pushonte zemra drejt fundit. Fitoret në fund japin një lloj kënaqësie të veçantë. Kemi vuajtur shumë. Lojtarët duhet të ishin më të përqendruara në pjesën e parë. Skënderbeu është shumë i fortë. Pati balancë si ndeshje. Ishim disi më të vakët në lojë, por fituam. Jam i gëzuar për pikët. Për lojën ka shumë për të folur.
Mbijetesa? Në asnjë mënyrë s’ka mbaruar. Duhet të shohim ndeshjet e radhës. Duhet të fitojmë pikët. Nëse nuk i fitojmë pikët kthehemi aty ku ishim. 3 pikë apo 1 pikë me kundërshtarin të vë në presion. Është shumë e rëndë për ne.
10 lojtarë në fund? Doja të hidhja çdo gjë në fushë për ta fituar ndeshjen. Doja të freskoja ekipin dhe të fitonim ndeshjen. Pikët na u deshën.
Skënderbeu ka përvojën e duhur. Ka lojtarë me eksperiencë. Shpeshherë edhe eksperienca bën diferencën. Mendoj që pati ekuilibër loja. Nuk mendoj se kundërshtari luajti më mirë se ne dhe ne nuk luajtëm më mirë se ata. Shpresojmë që në të ardhmen të luajmë edhe me mirë dhe të kemi rezultat pozitiv.
Derbi? Duhet të kapim rezultatet që na nevojiten shumë, pastaj të shohim për derbin. Është ndeshje që mezi pritet. Nuk më ka shkuar mendja. Dua të jem me këmbë në tokë”, deklaroi Mema.
KOHA JONË SONDAZH

