Mema “shpërthen”: Kush sulmon Tiranën do e pësojë keq!
Trajneri i Tiranës do të jetë në stol në sfidën e kthimit ndaj Laçit në Kupën e Shqipërisë pasi ka shlyer gjysmën e dënimit dhe pjesën tjetër klubi bardheblu e ka paguar me gjobë. Në një intervistë për mediat para kësaj sfide strategu i bardhebluve foli për shumë tema por edhe për dënimin që Disiplina i dha Tiranës.
Sfida e kthimit- “Fakti është që kemi fituar 3-0. Duhet të menaxhojmë rezultatin, të ruajmë ekuilibrat e të jemi të kujdesshëm dhe ta mbarojmë ndeshjen në favorin tonë.
Sherri? E para unë uroj që mos të ketë më kështu lloj ngjarjesh. Për sa i përket përkeqësimit të situatës, kjo është diçka që duhet të shuhet. Ne jemi për fushën lojës, nuk jemi as për grushte apo kërcënime dhe gjëra të kësaj natyre. Shpresojmë që atje të luajmë futboll si duhet e te mos kemi presion. Besoj se do të ndodh kështu. Ekipi është i qetë. Në Laç do të shkojmë për të fituar”.
Me sa kam marrë vesh në aspektin e gjobave jemi klubi më i penalizuar. Nuk mund ta mendoj këtë. Të sulmosh Tiranën është sikur të sulmosh djepin e futbollit shqiptar, janë disa skuadra si Tirana, Vllaznia, Dinamo e Partizani që kanë vënë fillesat e futbollit shqiptar. E kam dëgjuar shpeshherë këtë. Mendoj se kushdo që ka ndërmend ta sulmojë Tiranën do të ketë pasojë nga mbrapa. E përsëris nuk besoj se do të ndodhë, por kushdo që e ka ndërmend do të bëjë një gabim fatal.
Dënimi për tifozët? Ne kemi luajtur goxha pa tifozë, edhe kjo nuk na ka bërë mirë të them të drejtën. Tifozeria e Tiranës është pjesë përbërëse dhe një ndihmë që na garanton sukses. Tani do t’i bëjmë llogaritë pa tifozët, por të shohim si do të shkojnë gjërat”.
Penalizimet nga arbitrat? Në memorien time është një ndeshje që kemi pasur me Teutën në Shijak dhe ndeshja ndaj Kastriotit në Fushë-Krujë. Të them të drejtën nuk na kanë bërë gjë arbitrat dhe në ndeshjen e fundit ndaj Laçit më shumë u mora me ekipin, pasi shtesa nuk ishte justifikim. Ishim superiorë në çdo aspekt, nuk kishim pse ta vendosnim në diskutim atë ndeshje. Përsa i përket shtesës, shpeshherë bisedoj me shokët e mi dhe them: ‘A do ta bënte këtë gjë në Laç? Kurrë!’ Gjithsesi unë merrem me ekipin jo me arbitrin, pasi kjo është puna ime. Ky ka qenë rasti i vetëm që klubi ka reaguar për një vendim të arbitrit. Arbitrat kanë punën e tyre dhe në vitet e fundit kanë ndikuar shumë. Ata mund të ndikojnë te karriera e një trajneri dhe investimi i një presidenti. Gjithsesi unë konstatoj vetëm këto dy ndeshje, ndërsa pjesa tjetër ka qenë krejt normale”, deklaroi Ardian Mema.
KOHA JONË SONDAZH

