Milani me strategji të qartë në merkato, kërkon 4 lojtarë nën 25 vjeç
180 minuta larg nga mbyllja e sezonit, Milani është në pritje të njohjes së fatit të tij, që në fakt nuk është totalisht në dorën e tyre. Kuqezinjtë synojnë që të arrijnë në zonën Champions, por kanë nevojë për një hap fals të Atalantës ose të Interit, gjithmonë duke e shoqëruar me dy fitore të ekipet të tyre në dy ndeshjet e mbetura. Arritja në Ligën e Kampionëve do të jetë shumë e rëndësishme për arkat e kuqezinjve, të cilët duket se kanë një strategji të qartë për të ardhmen e tyre me Maldinin dhe Leonardon.
Nuk do të ketë më transferime të ngjashme me Higuain, por do të synohen afrime të futbollistëve të rinj si Piatek dhe Paqueta këtë janar. “Gazzetta dello Sport” në numrin e sotëm ka evidentuar se synimi do të jetë afrimi i katër futbollistëve nën moshën 25 vjeç, që do të ulte ndjeshëm moshën mesatare të klubit.
Emri i parë në listë është Riccardo Orsolini, i cili ka zhvilluar një pjesë të dytë të kampionatit të shkëlqyer me Bolognën dhe me shumë mundësi do të blihet nga Juventusi që ka një kontratë për ta riblerë. Bardhezinjtë me shumë mundësi do ta shesin për një çmim të kripur.
Emri i dytë, i cili është prej kohësh në listën e kuqezinjve, është ai i tefano Sensit, regjisori 23-vjeçar i Sassuolos, i cili mund të shtojë kualitetin në mesfushë. Më pas janë dy synime më të vështira: Allan Saint-Maximin, sulmues i Nice-s, i cili mund të luajë edhe si mesfushor krahu, si dhe braziliani Everton, që aktivizohet te Gremio dhe është vetëm 23 vjeç. Strategjia e drejtuesve të Milanit do të varet shumë nga kualifikimi ose jo në Champions League, pasi nëse dështojnë, atëherë edhe afrimi i këtyre emrave do të jetë i vështirë. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

