Në Brazil zbulojnë 5 arsyet se përse Nejmar kërkon të largohet nga PSG-ja
Nëse do të veshë fanellën e Realit të Madridit, kjo nuk mund të dihet, pro duket e sigurt që Nejmar do të largohet nga PSG në verën e këtij viti. Kështu të paktën mendojnë në Brazil, teksa “UOL Esporte” ka zbuluar 5 arsye se përse 26-vjeçari dëshiron që të largohet nga Parisi.
- Numri i faulleve të pësuar
Një ndër motive kryesore është numri i lart i faulleve, dhe shumë të dhunshme që futbollisti brazilian ka pësuar në këtë sezon. Në kampionatin francez, Nejmar pëson 5.7 faulle, teksa në 4 vitet që ka luajtur në Spanjë me Barcelonën ka pasur një mesatare prej 3.2 faullësh për ndeshje.

- Arbitrimi
Nejmar është i bindur se shpesh herë ka qenë viktime e arbitrimit në Francë, teksa ata nuk vërshëllejnë në shumë faulle që i shkaktojnë. Për këtë motiv edhe sulmuesi proteston shpesh herë, madje në një rast është detyruar që të dalë nga fusha me karton të kuq, dhe më pas është skualifikuar për 2 javë.

- Niveli i ulët teknik në Francë
Nejmar duket se është shumë lart për të luajtur në kampionatin francez, pasi niveli i tij duket dukshëm shumë lart lojtarëve të tjerë. Braziliani e kishte menduar ndryshe aventurën e tij në Paris, pasi dëshiron që të fitojë me çdo kusht “Topin e Artë”. Me ritmin e Ligue 1, duket se për të do të jetë shumë e vështirë.

- Gjendja e terreneve sportive
Braziliani nuk është aspak i kënaqur me terrenet sportive që gjen në fushat e ekipeve franceze. Duke përjashtuar terrenin e fushës së PSG, “Parce de Prince”, fushat e tjera lënë shumë për të dëshiruar. Bari është shumë i keq, dhe jo në pak raste drejtuesit e parisienëve kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre. Kjo mund të rrisë dhe rrezikun e dëmtimeve, dhe është një arsye më shumë për t’u larguar.

- Udhëtimi me autobus në transferta
Mediat braziliane kanë zbuluar se Nejmar ka mbetur jo pak i surprizuar nga fakti që skuadra e PSG udhëton me autobus në transferta pranë Parisit. Një zgjedhje aspak e pëlqyeshme, pasi atij nuk i pëlqen që të shkojë në një vend tjetër një ditë para ndeshjes. Kështu nuk ka ndodhur as më parë te Barcelona. /Rozalb Lika- Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

