Olise ka një kusht për të rinovuar kontratën me Bayernin
Real Madridi ka shfaqur interes për Michael Olise, yllin francez të Bayern Munichut, i cili po shkëlqen me paraqitjet e tij në Gjermani. Ndërkohë, drejtuesit bavarezë kanë nisur përgatitjet për një ofertë të majme financiare, me synimin për të siguruar të ardhmen e sulmuesit.
Sipas gazetës spanjolle AS, Bayern dëshiron të rinovojë kontratën e Olise, e cila është e vlefshme deri në vitin 2029, për të shmangur interesimin e klubeve të tjera të mëdha evropiane.
Klubi gjerman po përgatit një ofertë që do t’ia rriste pagën vjetore francezit nga rreth 14 milionë euro në mbi 25 milionë euro. Nëse marrëveshja realizohet sipas këtyre kushteve, Olise mund të bëhet lojtari më i paguar i skuadrës, duke kaluar edhe emra si Harry Kane dhe Jamal Musiala.
Olise iu bashkua Bayernit në verën e vitit 2024, kur u transferua nga Crystal Palace për rreth 53 milionë euro. Paraqitjet e tij kanë justifikuar investimin e klubit bavarez.
Megjithatë, negociatat për rinovimin kanë një pikë të rëndësishme mosmarrëveshjeje: klauzolën e largimit. Bayern kërkon që ajo të arrijë në 200 milionë euro, ndërsa lojtari dhe përfaqësuesit e tij preferojnë një shifër më të ulët.
Drejtuesit bavarezë synojnë ta mbyllin marrëveshjen sa më shpejt, për të mos u dhënë mundësi rivalëve, mes tyre Real Madridit, të ndërhyjnë në garën për francezin.

