Pakult: Kamza ekip i vështirë, s’duhet të përsërisim gabimet me Flamurtarin
Kukësi do të ketë një ndeshje aspak të thjeshtë këtë fundjavë, teksa të shtunën në “Zeqir Ymeri”, teksa do të presë ekipin e Kamzës. Trajneri i kampionëve të Shqipërisë, Peter Pakult ka dalë në konferencë për shtyp, duke vlerësuar skuadrën e Ramadan Ndreut.
“Ndaj Kamzës do të do të jetë shumë e vështirë, pasi ata kanë bërë shumë mirë në këtë sezon, edhe pse debutues në Superiore. Mjafton të kujtojmë se janë vetëm 3 pikë mbas nesh. Shpresoj që të shtunën të marrim fitoren e parë para tifozëve tanë. E synuam ndaj Flamurtarit, por nuk ia arritëm qëllimit. Që të jemi të suksesshëm në këtë ndeshje, nuk duhet të përsërisim gabimet me Flamurtarin. Analizën e kam bërë me skuadrën, nuk mund ta them këtu se ku gabuam konkretisht. Kundërshtari do të na e vështirësojë shumë punën, por besoj se në fund do të fitojmë ne.
Çdo trepikësh është shumë i rëndësishëm. Ka pasur momente që kam ndryshuar diçka në mënyrën e lojës, por kjo nuk do të thotë se nga java në javë duhet të ndryshojmë sistemin. Çdo gjë varet nga kundërshtari dhe momentet e lojës. Sa i përket situatës në grup, Alla ka probleme me gjurin. Ndoshta javën e ardhshme do të bashkohet me ekipin. Shameti po stërvitet dhe do të jetë në fushë ndaj Kamzës.
Balde? Ai ka ardhur për të na ndihmuar, por nuk gëzon gjendje fizike optimale. Ka një karrierë të pasur, por do ta aktivizoj kur ta shoh se është i vlefshëm për ekipin. Ai ka pasur një periudhë të gjatë pa luajtur dhe do të na duhet, pasi kemi edhe 19 ndeshje përpara”, u shpreh Pakult.
KOHA JONË SONDAZH

