Pakult: Kemi mungesa, ja “sekreti” i formës së shkëlqyer të Gurit
Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, ka folur në konferencë për shtyp për përballjen e nesërme në transfertën e vështirë ndaj Luftëtarit. Ai vlerësoi kundërshtarin duke theksuar se ekipi i tij duhet të synojë që të marrë 3 pikët e radhës.
“Luftëtari ka një seri rezultatesh të mira deri tani dhe luan futboll shumë të mirë. Është një ekip shumë i rrezikshëm në sulm dhe nesër duhet të bëjmë një paraqitje të mirë dhe ta fitojmë ndeshjen. E njoh Luftëtarin, ndeshjen me Partizanin e kam parë dy herë. Është një ekip shumë i organizuar, që tenton të luajë futboll sulmues. Duhet t’i lëmë shumë pak hapësira dhe të luajmë ashtu siç duam ne. Nuk duhet të harrojmë që edhe ne kemi lojën tonë dhe çdo në ndeshje futemi për fitore. po të shohim renditjen janë vetëm 3 pikë nga vendi i 3 tretë deri në vendin e shtatë.
Golat e pësuar? Është një gjë që çdo trajner e do dhe kërkon që ekipi i tij të mos pësojë gola. Ajo që kemi bërë mirë, është fakti që kemi shënuar gjithmonë një gol më shumë se kundërshtarët dhe kjo është e rëndësishme.
Sa i përket Shametit dhe Allës, më vjen mirë që u rikthyen në ekip. Alla nuk është në 100% të formës, por ka rëndësi që u rikthye. Për ne është e rëndësishme që ata lojtarë, të cilët dolën nga pozicioni i tyre, për shkak të dëmtimeve, e kanë bërë mirë punën e tyre, si Hoxha, ashtu edhe Musolli në mbrojtje.
Mund të them vetëm që nuk jemi të kompletuar, pasi na ka ikur Bakaj dhe në pozitën e një sulmuesi të dytë nuk kemi shumë opsione. Balde është larguar për disa ditë në vendin e tij. Nuk kam lojtarë të lënduar, por kam mungesa të tjera.
Gjyqtari Alla? Nuk dua të merrem me gjëra që kanë kaluar, sepse shoh vetëm përpara dhe nuk dua të bëj komente për arbitrin e ndeshjes.
Fitoret me përmbysje? Që nga fillimi ne kemi pasur probleme me golat e pësuar, gjë të cilën po mundohemi ta përmirësojmë nga dita në ditë. Në momentin që e analizoj ndeshjen, shoh disa gjëra që nuk më pëlqejnë pasi mbrojtësit tonë nuk kanë agresivitet dhe këtë po mundohem ta përmirësoj.
Që nga vendi i tretë deri në vendin e shtatë janë të gjithë të rrezikshëm sepse vetëm 3 pikë e bëjnë diferencën. Gjëja me të cilën do të përballemi këtë javë është fakti që të gjitha ekipet do të përballen me njëra tjetrën. Është diçka me shumë rëndësi që ekipi të marrë të gjitha pikët e mundshme nga ndeshja në ndeshje. Duke parë se kur kam ardhur në ekip kemi qenë në vendin e katërt, ne kemi punuar shumë duke kaluar të dytën dhe për këtë them që kemi bërë disa gjëra të mira. Duhet të vazhdojmë të punojmë kështu sepse po bëmë një hap më pak të gjithë e dimë që kthehemi mbrapa.
Forma e Gurit? Sa i përket Gurit, mund të them se ai është vetvetiu në atë formë dhe gjithçka e ka bërë vetvetiu. Është fakt që e kam ndihmuar edhe unë sepse ka ndërruar mentalitetin pasi kam dëgjuar që disa herë ka munguar dhe nuk ka qenë i disiplinuar në stërvitje. Edhe vetëm kam qenë sulmues por duke parë që ai ka shumë potencial them se akoma nuk e ka arritur maksimumin por duke punuar dita-ditës them që do të arrijë aty ku dua unë. E di që në dyluftim është i fuqishëm dhe di të driblojë mirë. Mendoj se ai është në një gjendje shumë të mirë fizike.
Guri te Kombëtarja? Sa i përket Kombëtares, unë nuk jam një trajner që komentoj një trajner tjetër por them që Guri është në një super formë por duhet parë edhe konkurrenca që ai ka në Kombëtare”, deklaroi Pakult për mediat.
KOHA JONË SONDAZH

