Panucci gjen pasuesin e Agollit, Binaku është “basti” i fituar
Shqipëria e nisi me një fitore minimale aventurën në Ligën e Kombeve ndaj Izraelit, teksa një ndër më të mirët në fushën e lojës ishte debutuesit Egzon Binaku. Ky i fundit bindi në stërvitje dhe zbriti si titullar në sfidën ndaj Izraelit, duke qenë edhe një nga befasitë më të mëdha të formacionit fillestar të Christian Panuccit, por 90-minutëshi i “Elbasan Arenës” duket se i dha të drejtë teknikut italian.
Egzon Binaku ishte futbollisti që mori më shumë duartrokitje gjatë takimit, nga tifozët e paktë të pranishëm në shkallët e stadiumit, duke luajtur si të ishte një veteran i Shqipërisë dhe jo si debutues, që ishte në të vërtetë. Me një fizik për t’u admiruar, formë sportive optimale, nivel mjaft të lartë teknik dhe mbi të gjitha kujdes të theksuar në pozicionim dhe mbylljen e hapësirave, Binaku bllokoi çdo tentativë të izraelitëve, për të sulmuar nga krahu i tij.
Ndonëse në krahun e djathtë luante mbrojtësi i Napolit, Elseid Hysaj, organizimi i lojës së kuqezinjve fillonte thuajse gjithmonë nga e majta, aty ku mbrojtësi 23-vjeçar përdorte topin në mënyrë perfekte, kombinonte, shtynte përpara dhe në 2-3 raste tentoi të godasë edhe portën. Në fund të takimit, nuk i kurseu elozhet ndaj Egzon Binakut, duke e cilësuar tashmë një bast të fituar dhe për më tepër, me mundësi reale rritjeje të cilësisë së performancave në të ardhmen.
Kështu pavarësisht eksperimenteve të dështuara në ndeshjet miqësore, Panucci më në fund e gjeti mbrojtësin e tij të majtë në një ndeshje zyrtare dhe tashmë do të ketë një telash më pak në punën e tij në krye të kuqezinjve.
KOHA JONË SONDAZH

