Panucci zgjidh dilemat e fundit, ja formacioni ndaj Turqisë sonte
Shqipëria do të përballet sonte në mbrëmje me Turqinë, në sfidën e parë të edicionit eliminator Euro 2020, ndërsa trajneri Panucci ka drejtuar edhe seancën e fundit stërvitore, duke marrë përgjigje për dilemat e fundit në lidhje me formacionin. Në stërvitje trajneri ka dhënë pak referenca sa i përket formacionit, por duke parë lëvizjet e tij testuese, duket se Panucci do të përdorë skemën 4-3-3 përballë Turqisë, një vendosje që mund të shndërrohet edhe në 4-5-1 në momente të caktuara.
Në portë nga minuta e parë do të jetë Etrit Berisha, i cili do të mbrohet me Hysajn në krahun e djathtë, Gjimshitin e Ismajlin në qendër dhe Frederik Veselin në të majtë. Ky i fundit duket se ka fituar balotazhin me Naser Alijin, pasi bëhet fjalë për një rol të cilin e ka bërë jo rrallë te skuadra e Empolit në kampionatin italian.
Sa i përket mesfushës, konfirmohen Xhaka e Memushaj, ndërsa rikthehet titullar edhe Abrashi, pas një mungese të gjatë për shkak të dëmtimit. Në sulm Panucci duket i bindur t’i besojë Sadikut në majë, i mbështetur nga Myrto Uzuni nga e djathta, me beratasin që gëzon një formë mjaft të mirë sportive, dhe Eros Grezdën nga e majta.
Formacioni i mundshëm: Berisha; Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Veseli, Xhaka, Memushaj, Abrashi, Uzuni, Grezda, Sadiku.
KOHA JONË SONDAZH

