Pioli: Ibrahimovic nuk është racist, ndaj Bolognës duhet të derdhim djersë!
Milani po kalon një moment të vështirë në kampionat, pasi brenda javës pësoi dy humbje kundër Atalantës dhe Interit. Kuqezinjtë do të provojnë të rikthehen te fitoret në transfertën ndaj Bolognës. Trajneri Stefano Pioli pranoi se duhet djersitur shumë ndaj emilianëve, për të arritur te fitorja.
“Pas një jave si kjo, është shumë e rëndësishme që nesër të rikthehemi te fitorja. Megjithatë duhet të bëjmë kujdes, pasi ndaj Bolognës duhet të derdhësh shumë djersë për të fituar. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por jo vendimtare, pasi është ende herët. Problemi ynë momentalisht është se futbollistët nuk kanë të njëjtin ritëm, për shkak të dëmtimeve dhe prekjes nga koronavirusi, por pas ndeshjes me Bolognën do të kemi kohë të punojmë më mirë.
Ibrahimovic? Ka keqardhje sepse la skuadrën me 10 vetë në një moment të rëndësishëm, por e shoh të karikuar në maksimum për sfidën e nesërme. Grindja me Lukakun nuk ishte gjë e mirë, por episode të tilla ndodhin në futboll. Me skuadrën do të udhëtojë edhe Bennacer, por vështirë se do të jetë në gjendje të luajë nga minuta e parë”, tha trajneri i Milanit.
KOHA JONË SONDAZH

