Priti penalltinë, Strakosha zbulon çfarë i tha trajneri para goditjes

Thomas Strakosha ishte protagonist absolut në sfidën mes Shqipërisë dhe Letonisë, e cila u mbyll me rezultatin 1-1. Portieri i kombëtares shqiptare priti një penallti vendimtare gjatë ndeshjes, duke i dhënë ekipit mundësinë të shmangte humbjen.
Kjo ishte hera e parë që Strakosha ndal një 11-metërsh në një ndeshje me kombëtaren. Para ekzekutimit të penalltisë, ai pati një bisedë të shkurtër me trajnerin e portierëve, Ilir Bozhiqi.
“E pyeta çfarë mendimi kishte, ma tha dhe pastaj mora vendimin vetë,” tregoi Strakosha për “Klan Kuqezi”, duke zbuluar edhe këshillën që mori: “Më tha të qëndroja në vend.”
Megjithëse ndaloi penalltinë, Strakosha nuk u ndal me kaq. Në deklaratën e tij pas ndeshjes, ai theksoi se skuadra reagoi shumë vonë për të kërkuar fitoren.
“U zgjuam vonë në pjesën e dytë. Duhet të jemi më të përqendruar. Mungoi përgatitja mendore nga ana jonë si lojtarë,” tha portieri kuqezi, duke bërë autokritikë për paraqitjen e ekipit.
Ndërsa Strakosha ishte shpëtimtari i Shqipërisë në këtë përballje, ndeshja tregoi se ekipi duhet të jetë më i gatshëm që në minutat e para për të arritur rezultate pozitive.