Rei Manaj: Ndeshja jonë më e fortë se e Kombëtares
Sulmuesi i Inter i huazuar te Granada, Rey Manaj së bashku me portierin shkodran Alen Sherri, kanë folur në konferencën e sotme për shtyp për ndeshjen që do të luajnë të premten ndaj Sllovakisë.
Dy lojtarët e kombëtares së Shpresave janë shprehur optimistë për këtë takim, ku kanë theksuar se do të japin më të mirën për të marrë rezultat pozitiv.
Në këtë konferencë Manaj, i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me ftesën e Panuccit. 21-vjeçari rikonfirmoi edhe njëherë se nuk është thirrur nga kombëtarja e madhe por nga Shpresat.
“Nuk dua të mungoj në asnjë ndeshje. Ftesa më ka ardhur nga kombëtarja U-21 dhe jo nga kombëtarja A. Pak ndryshim ka, pasi mendoj ndeshja jonë është më me rëndësi se sa miqësorja e ekipit A. Ndjej përgjegjësi në ekip, jemi të stimuluar për të dhënë maksimumin. Po përqëndrohemi për të qenë gati për ndeshjen”- ka thënë lushnjari.
Nga ana tjetër, gardiani i Vllaznisë, Sherri beson se skuadra do t’ia dalë me sukses në këtë përballje dhe se nuk e penalizojnë lojtarët që u ka marrë tekniku Panucci.
“Të tre portierët jemi të mirë nuk kemi diferencë mes nesh. Jemi në një nivel pastaj për aktivizimin vendos stafi. Nuk mendoj që është dëmtuar U-21 ngaqë trajneri Panucci ka marrë disa lojtarë nga grupi ynë te kombëtarja e madhe. Jemi të fokusuar dhe po punojmë fort duke u stërvit dy herë në ditë për ndeshjen ndaj Sllovakisë. Jemi optimistë për të arrit rezultate pozitive pasi ata nuk kanë më shumë se sa ne”- përfundoi 20-vjeçari.
Kombëtarja U-21 do të luajë më 23 mars, të premten në stadiumin “Elbasan Arena” ndaj Sllovakisë në kuadër të fazës eliminatore të kampionatit Evopian të moshave. Ndeshjen e kthimit do ta luajnë në “Štadión pod Dubňom” më 27 mars.
KOHA JONË SONDAZH

