Revolucion në Superiore, gati krijimi i Ligës Profesioniste
Liga profesioniste e futbollit është një hap larg krijimit të saj, pasi në ambjentet e Federatës Shqiptare të Futbollit po zhvillohet mbledhja prolog e përfaqësuesve të klubeve për të nisur këtë projekt serioz.
Mesa duket janë pjekur gjërat pas një dekade përpjekjeje nga të gjitha klubet dhe tashmë edhe FSHF është e interesuar për tu lehtësuar nga barra dhe problematikat e shumta që prodhon aktiviteti i 10 klubeve në Kategorinë Superiore. Në mbledhje janë të pranishëm drejtues klubesh, si Olti Lulaj i Skënderbeut, Olsi Rama i Partizanit, Vangjel Tavo i Luftëtarit, Ardi Behari i Flamurtarit, Edmond Hysenbelliu i Teutës, Pashk Laska i Laçit, Nderim Nexhipi i Kukësit, si dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe zëvendës-presidenti Edvin Libohova.
Madje ky i fundit, lakohet si kryetari i ardhshëm i Ligës. Vendimet në Ligë pritet të merren me shumicë të cilësuar, ku duhen votat e të paktën 7 klubeve. Kryetari i Ligës pritet të zgjidhet me konsensus nga klubet, për të mos pasur më pas konflik interesi. Liga do të ketë ekskluzivitetin për organizimin e Kategorisë Superiore. Shoqata e Klubeve të Superiores është përfaqësuesja reale e interesave të Ligës, duke nisur nga shfrytëzimi i të drejtave ekonomike të Ligës. Vendosja e aktivitetit të Ligës do të jetë në mënyrë demokratike, ku si fillim kërkohet prezenca e 7-të nga 10 klubet anëtare të Ligës.
Kur bëhet fjalë për një përjashtim nga vendimmarrja e një klube anëtare e Shoqatës, vendimi duhet të merret nga 8 klube. Përsa i përket zgjedhjes së Kryetarit të Ligës janë vendosur disa kritere, në mënyrë që ai të jetë një figurë e paanshme me një profil profesional, i cili mbështetet nga të gjithë klubet. Me krijimin e Ligës pritet që brenda një periudhe shumë të shkurtër,
Shoqata të miratojë Kodin e saj të Disiplinës sportive, si dhe ngritjen e Komisioneve përkatëse për zbatimin dhe funksionimin e saj. Liga profesioniste pritet të miratojë kritere të reja për liçensimin e klubeve të Kategorisë Superiore në Futboll. Liga profesioniste gjithashtu do të ketë bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit. Kryetari i Ligës do të ketë akses në çdo informacion që dërgohet nga UEFA dhe FIFA
/Ora News
KOHA JONË SONDAZH

