Ronaldo me dopietë “gjunjëzon” Sampdorian, Juve i falet “VAR”-it (VIDEO)
Juventus e mbyll në mënyrën më të mirë vitin 2018, duke fituar edhe duelin e javës së 19-të ndaj Sampdorias. Në “Allianz Stadium”, skuadra torineze fitoi me vështirësi 2-1, një ndeshje që u vendos shumë edhe nga teknologjia “VAR”.
Sfida nisi në mënyrën më të mirë duelin, duke kaluar në avantazh që në minutën e dytë me Cristiano Ronaldon. Sulmuesi portugez realizoi me një goditje të fortë në hyrje të zonës, e cila nuk mundi të ndalej nga portieri i dorianëve. Sampdoria vuan shumë në 20 minutat e para, ndërkohë që më pas është më këmbëngulës.
Në minutën e 25, skuadra e Giampaolos, fitoi një penallti pas një prekje të topit me dorë nga Emre Can, gjyqtari u konsultua me teknologjinë për të marrë vendimin. Quagiarella nuk gaboi nga pika e bardhë, duke shënuar golin e barazimit.
Rezultati nuk do të ndryshonte në pjesën e parë, ndërkohë që në të dytën, Juventusi shtoi ndjeshëm presionin. Cristiano Ronaldo goditi traversën pas një goditje të fortë nga distanca. Gjithsesi skuadra torineze do të shënonte golin e avantazhit sërish me portugezin, që realizoi nga pika e bardhë.
Në minutën e tretë shtesë, Sampdoria shënoi një super gol me Saponarën, por arbitri i ndihmuar edhe teknologjia “VAR” e anuloi për shkak se sulmuesi i dorianëve ishte në pozicion të parregullt. Me këtë fitore Juventus “blindon” vendin e parë me 53 pikë, 12 më shumë se Napoli që ka dhe një tjetër ndeshje për të zhvilluar këtë pasdite. /Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

